Qafa e Pazarit, qasje inovative për orientimin e turistëve - Bota Sot
Qafa e Pazarit, qasje inovative për orientimin e turistëve

Turizëm

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Qafa e Pazarit, qasje inovative për orientimin e turistëve

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 09:32
Qafa e Pazarit

“Qafa e Pazarit”, e njohur si kompleksi muzeal i qytetit të Gjirokastrës me vlera të veçanta historike e kulturore, po i nënshtrohet një rehabilitimi të veçantë që ka në thelb, ruajtjen e teknikave të hershme infrastrukturore dhe mos dëmtimin e tyre.

Rehabilitimi i zonës “Qafa e Pazarit”, synon të luajë një rol kyç në orientimin dhe demostrimin e dobisë që kjo qasje inovative e integruar, ka për zhvillimin rajonal dhe mundësitë që krijon, për adresimin e një sërë objektivash që janë edhe pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Territorit.

Qafa e Pazarit është pjesë e investimeve që po realizohen në kuadër të projektit “Zhvillimi i Integruar Urban e Turistik në Shqipëri” në qendrat urbane të Sarandës, Gjirokastrës, Beratit e Përmetit, i financuar nga  Banka Botërore në vlerën 63.8 milionë euro.

Për sa i takon kësaj zone, projekti do të financojë rehabilitimin dhe restaurimin e rrugëve me kalldrëm, shesheve, shkallëve, trotuareve, si dhe do të instalojë një sistem të mbrojtjes nga zjarri. Ndërsa do të punohet deri në detaje për kanalizimet e ujërave, ndriçimin dhe rrjetet e komunikimit. Projekti Teknik për këtë ndërhyrje tashmë është gati dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nisur punimet.

Për të evidentuar dhe zbutur ndikimet në mjedis dhe në aspektet sociale të këtij projekti, është hartuar Plani i menaxhimit social dhe mjedisor për “Rehabilitimin e Zonës Qafa e Pazarit”.

Qafa e Pazarit është e ndërtuar qysh në shekullin e 19 dhe ka një stil tipik oriental. Kjo zonë ka qenë një nga më problematikët gjatë 25-vjetëve të fundit. Deri më sot Qafa e Pazarit i është nënshtruar tri restaurimeve që nga viti 2006, por pavarësisht shpenzimeve të shumta asnjëri nga projektet nuk ka ruajtur deri në fund vlerat e monumentit.

Gjirokastra shtrihet në jug të Shqipërisë. Për vetë relievin dhe pozitën gjeografike Gjirokastra është një nga vendet më tërheqëse për turistët në Shqipëri. Kalaja mbresëlënëse plot histori e mistere, pazari i vjetër i shekullit XVII, shtëpitë e gurta me arkitekturën e rrallë, lagjet e vjetra karakteristike, teqetë dhe kishat, historitë e fshehura në çdo skutë të qytetit, muzeumet dhe monumentet, përbëjnë kontekstin shumëshekullor e tepër origjinal të një mënyre jetese dhe organizimi shoqëror të ruajtur deri në ditët e sotme.

Këto vlera e bënë Gjirokastrën më 29 korrik 2005, të shpallet monument i trashëgimisë kulturore botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s. Gjirokastra mbetet qendër e një jete të gjallë kulturore e historike dhe po përjeton një zhvillim të turizmit gjithëvjetor për specifikën arkitekturore që bart./ATSH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test