Pazari i Vjetër i Krujës, atje ku trashëgohet akoma zejtaria shqiptare - Bota Sot
Pazari i Vjetër i Krujës, atje ku trashëgohet akoma zejtaria shqiptare

Turizëm

E martë, 12 dhjetor 2017

Pazari i Vjetër i Krujës, atje ku trashëgohet akoma zejtaria shqiptare

Nga: ATSH Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 00:33
Kruja

Zejtaria shqiptare nuk ka humbur akoma, ajo ruhet në disa pika të rralla të vendit tonë.

Por, Pazari i Krujës është shembulli i vetëm publik dhe i vizitueshëm që tërheq me qindra vizitorë çdo ditë drejtë produktit artistik të kësaj zejtarie.

Ky pazar është një veçanti dhe befasi për turistët që vizitojnë qytetin.

Të gjithë vizitorët më parë kalojnë aty. Rrugica e gjatë si në kohë të hershme është e mbushur me produkte zejtarie si veshje tradicionale, qilima e sixhade, punime bakri e floriri, sende të vjetra dhe simbole kombëtare apo të vetë qytetit.

Image

Përpunimi i leshit të bagëtive, mbetet akoma ekzistues dhe vazhdon të ushtrohet, mbase nga brezi i fundit familjar.

Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut. Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Skënderbeut, kur dyqanet e tij arrinin deri pranë hyrjes së kalasë. Dyqanet i kanë muret, tavanet dhe qepenat prej druri.

Këtu turistët kanë rast për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit si punime në argjend, bakër, alabastër, qëndistari, bizhuteri, filigrame, qylyma etj.

Pazari është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Ndriçim Guni apo Çim Guni siç e thërrasin në qytet, frikësohet për zanatçinjtë dhe zanatet tradicionale se po humbin.

“Të rinjtë e sotëm shkojnë nëpër shkolla dhe marrin zanate të tjera, ata nuk po e duan zanatin e babës. Unë kam një djalë dhe  po mundohem t’i  jap zanatin e leshpunuesit”, thotë Çimi disi i trishtuar.

Dhe vërtetë, pranë tij qëndronte një djalë rreth të 20-tave dhe po ndërtonte një qeleshe krutane. “Më pëlqen zanati i babës dhe po mundohem ta mësoj sa më mirë atë”, u përgjigj ai.

Vizitor të shumtë hynin e dilnin nga tregu i vjetër duke bërë Pazar me shitësit apo duke mbajtur  në dorë sendet e blear.’

Projekti “Rigjallërimi dhe Përmirësimi i Zonës Turistike-Pazari i Krujës”, i implementuar si një  partneritet i Ministrisë së Zhvillimit Urban të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë  Krujë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, ka sjell rifreskimin e ndërtesave dhe objekteve arkitekturore rreth tij.

Image

Çdo ndërhyrje që përfshin projekti, duke filluar nga fasadat, çatitë dhe kalldrëmi është bërë me kujdes, duke ruajtur vlerën dhe traditën e qytetit.

Një tjetër veçanti e krutanëve është dhe gatimi.

Ata kanë mënyrën e tyre të gatimit tradicional të mishit të pjekur,të turshive, të pastërmave, ëmbëlsirave por mbi të gjitha gatimin e kabunisë me arra e rrush të thatë.

Të gjitha këto janë një atraksion i fuqishëm për ta sjell një vizitor në Krujë ku të mësoj historinë, të njohë e të bëjë tregti në zejtari si dhe të kënaqet me kuzhinën e pastër e tradicionale të vendasve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test