Divjaka, një mbretëri natyrore që mund të vizitohet çdo ditë të vitit…

Turizëm

Divjaka, një mbretëri natyrore që mund të vizitohet çdo ditë të vitit…

Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 09:56
Divjaka

Divjaka është një qytet i ri por që ka një histori të lashtë që lidhet me Qytetin e Humbur Arnisa dhe me “Via Egnatian” e Romës së Vjetër.

Vetë emri i saj rrjedhë pikërisht nga kjo rrugë që lidhte Apoloninë me pjesën e saj që vinte nga Durrësi e bashkoheshin në Klodiana ose Peqini i sotëm.

Divjaka ose Due Vie, Dy Vijat, shtrihej në kodrat ku bashkoheshin këto dy rrugë nga ku i ngeli dhe emri.

Divjaka sot është  një nga parqet natyrore  më të vizituara për turizmin detar,natyrorë, atë të  vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë është Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit  dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur më së miri nga moratorium i gjuetisë dhe pylli i dendur.

Objektivi kryesor është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm, janë edhe shpendë të tjerë si  flamingot  që gjallojnë në strugat e ëmbla, rosat e egra, çafkat, karabullakët etj. që kanë pushtuar lagunën dhe grykëderdhjen e Shkumbinit, shkruan ata.I kontaktuar së fundmi me Kryetarin e Bashkisë Fredi Kokoneshi, mësuam për investimet e bëra në tokat bujqësore, në urbanistikën e qytetit, në shkolla e kopshte, por edhe në fushën e turizmit.

Vetëm këtë vit, nga Janari e deri më tani, në këtë park janë futur rreth 400 mijë vizitor vendas dhe të huaj.

Turistë të ardhur nga vendet  evropiane apo edhe më larg, numërohen rreth 30 mijë që janë shoqëruar nga punonjësit e parkut. Vendet më të preferuara kanë qenë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku mbretërojnë Flamingot dhe  shumë lloj të tjera shpendësh, dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.

Tashmë vizitorët nuk janë kurioz të çlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër.

Zbatimi i moratoriumit për ndalimin e gjuetisë, në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së  egër.

Flamingot dhe pelikanët që popullojnë lagunën e Karavastasë, kanë  tërhequr vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në park.

Divjaka është një mbretëri natyrore që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit… 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat