Dhjetori shënon fluks të lartë të turistëve drejt Shqipërisë

Turizëm

Dhjetori shënon fluks të lartë të turistëve drejt Shqipërisë

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 12:59
Shqipëri

Në të gjitha pikat kufitare të vendit, gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor ka pasur fluks të lartë të hyrjeve të shqiptarëve që jetojnë jashtë, por edhe të huaj të shumtë janë duke ardhur për festa.

Vetëm gjatë fundjavës së shkuar kanë hyrë në Shqipëri 11.346 turistë të huaj nga vende të ndryshme, të organizuar në grupe dhe shoqata , me destinacione të ndryshme në vendin tonë.

Mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe mbi afërsisht 30 mijë automjete prekën territorin shqiptar në fundjavën e shkuar, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, raportoi Ministria e Brendshme.

Strukturat e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në kuadër të festave të fundvitit janë angazhuar maksimalisht për të përballuar fluksin e hyrje-daljeve në të gjitha pikat e kalimit të kontrollit kufitar, porte dhe aeroportin ‘Nënë Tereza’.

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar, porte dhe në aeroport janë shtuar sportelet në hyrje dhe në dalje, me qëllim krijimin e lehtësive duke eliminuar radhët e gjata, si dhe për tu ofruar një shërbim cilësor, të kulturuar e në kohë të gjithë shtetasve shqiptarë e të huaj që qarkullojnë nëpërmjet këtyre pikave të kalimit kufitar.

Instituti i Statistikave raportoi se për 11-mujorin e këtij viti numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë është rritur me 7.8%. Sipas INSTAT, numri i turistëve nga Evropa Qendrore, veçanërisht Polonia ka rritjen më të lartë.

Numri i turistëve polakë që vizituan Shqipërinë në janar-nëntor të këtij viti u rrit me 76% krahasuar me vjet duke arritur në mbi 115 mijë vetë. Rritje të lartë ka shënuar edhe numri i turistëve gjermanë me 46% dhe atyre italianë me 41%.

Në muajin nëntor e vizituan Shqipërinë 24 mijë pushues më shumë se në nëntorin e vitit të kaluar, teksa numri i të huajve për qëllime pushime gjatë 11 mujorit shënoi një rritje vjetore prej afro 22% duke vendosur një rekord te ri me mbi 2.3 milionë vizitorë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për 9 muajt e parë të vitit, Shqipëria përfitoi mbi 1.3 miliardë euro të ardhura nga turizmi. Kjo shifër është e barabartë me rreth 12% të prodhimit kombëtar, duke qenë kështu një nga burimet kryesore të valutës për ekonominë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat