Investimet në Shirokë për një destinacion të mirëfilltë turistik

Turizëm

Investimet në Shirokë për një destinacion të mirëfilltë turistik

Më: 28 prill 2018 Në ora: 23:53
ilustrim

Shndërrimin e zonës së Shirokës dhe bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës në një destinacion të mirëfilltë turistik, që ofron hapësira urbane dhe natyrore të dedikuara për të gjithë të apasionuarit pas natyrës, historisë apo sportit, është në fokus të investimeve nga qeveria.

Projekti “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës” është një nismë e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës. Shtrirja fillon nga Ura e vjetër e Bunës deri sheshin qendror të Shirokës dhe mbulon një sipërfaqe prej 115 hektarësh.

Koncepti i përgjithshëm i zhvillimit të zonës së Shirokës ndërthur hapësirat urbane dhe ato natyrore me identitetin dhe traditat me qëllim transformimin e kësaj zone në një qendër shumë-dimensionale dhe gjithëpërfshirëse.

I gjithë koncepti ruan identitetin historik, urban dhe natyror të zonës. Ky është rasti i mozaikëve të sheshit qendror që do të shtrohet, dizajni i të cilëve është bazuar në elementë tradicionalë. Krahas rehabilitimit të sheshit, do të restaurohen fasadat e ndërtesave të zonës përmes unifikimit të materialeve dhe ngjyrave.

Një hapësirë krejtësisht e re do t’i dedikohet të apasionuarve pas historisë, legjendave e miteve dhe punimeve artizanale.

Plani synon të mbrojë hapësirën e liqenit dhe ndaljen e ndërtimeve të reja në zonë. Restaurimet në hapësirën natyrore dhe përgjatë vijës liqenore parashikojnë ndërtimin e platformave të drurit në breg të liqenit, krijimin e shtigjeve panoramike në kodrën e Shirokës, këndet e lojrave, etj. Qëllimi është nxitja e shëtitjeve në këmbë dhe përdorimi i biçikletave për një trafik minimal makinash.

Projekti që ka filluar vitin e kaluar është rezultat i bashkëpunimit të arkitektëve shqiptarë dhe të huaj. Për të bërë çdo ndërhyrje të qëndrueshme dhe miqësore me natyrën parashikohet përdorimi në shkallë të gjerë i materialeve natyrore si guri dhe druri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat