Bregdeti i Dhërmiut, pret për herë të parë “Kala Festival”

Turizëm

Bregdeti i Dhërmiut, pret për herë të parë “Kala Festival”

Më: 20 maj 2018 Në ora: 15:04
Dhermiu

Për herë të parë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, do të presë Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri i quajtur “Kala”, nga 20 deri më 27 qershor.

Ky festival, përveç atmosferës që do të krijojë për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Përgjatë tetë ditëve në festival do të jenë të pranishëm DJ të famshëm anglezë, si Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann dhe shumë të tjerë.

Organizatorët e këtij festivali të muzikës elektronike kanë paralajmëruar shumë surpriza dhe e kanë përshkruar bregdetin e Shqipërisë në faqen zyrtare të festivalit, si një zonë të mahnitshme që duhet vizituar patjetër.

“Plazhe me rërë, ujëra kristal të qartë, mikpritje e madhe, ushqim i shkëlqyer dhe disa nga plazhet më të mira të Mesdheut”, thuhet në faqen zyrtare të festivalit.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës Shqiptare.

Në ditët e fundit të festivalit do të ketë ekskursione të tilla si, rafting në Kanionet e Osumit. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit.

Në këtë festival pritet të marrin pjesë të rinj nga të gjitha vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, si vend mikpritës, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. /ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat