Suveniret unike që blihen vetëm në Shqipëri - Bota Sot
Suveniret unike që blihen vetëm në Shqipëri

Turizëm

E mërkurë, 20 qershor 2018

Suveniret unike që blihen vetëm në Shqipëri

Më: 25 maj 2018 Në ora: 00:42
ilustrim

Të blesh suvenire si dhurata për familjen dhe miqtë dhe si kujtim nga vizita në një vend të caktuar është padyshim një nga aspektet më të bukura të udhëtimeve. Shqipëria ofron një larmi dhuratash turistike, siç janë disa lloje tipike magnetesh, kartolinash dhe bluzash, por Vendi i Shqiponjave ofron gjithashtu edhe një numër të madh suvenirësh të papërsëritshëm, që mund të gjenden vetëm këtu, shkruan portali i njohur turistik, theculturetrip.com. 

Qilima

Qilimi është një tapet tradicional shqiptar dhe një nga suvenirët më të bukur. Për qilimat e punuar me dorë, mjafton të vizitoni Pazarin e Vjetër të Krujës, qyteza më e rëndësishme historike në vend, rreth një orë larg Tiranës. Këtu do të gjeni qilima të shumëllojshëm, punuar nga mjeshtrit vendas me motive, ngjyra dhe tekstile nga më të ndryshmet.

Taketuke në formë bunkeri

Mijëra bunkerë gjenden anembanë Shqipërisë, madje edhe në mes të qyteteve, në bregdet, si dhe fshehur thellë dhe lart në male. Sot, vizitorët mund të blejnë taketuke në formën e një bunkeri. Padyshim kjo është një dhuratë e pazakontë; bunkeri është shndërruar në një lloj simboli të vendit dhe taketuket janë tashmë objekte tepër të preferuar, madje edhe për jo duhanpirësit.

Çifteli

Çiftelia është një instrument muzikor tradicional shqiptar me dy tela. Instrumenti e ka origjinën nga Shqipëria Veriore dhe Kosova. Turistët mund të gjejnë çifteli të përmasave të ndryshme, që shiten në pazaret vendase. Disa prej tyre janë të vogla dhe shërbejnë si objekte zbukurimi në shtëpi.

 

 Piktura të bukura

Adhuruesit e artit do të mrekullohen nga veprat e shumë artistëve bashkëkohorë dhe piktorë, të cilët i ekspozojnë punimet e tyre në galeri shumë të bukura arti në kryeqytetin e vendit, Tiranë. Për vepra origjinale arti sigurohuni që të vizitoni studion e Eljan Taninit, një piktor i ri, i cili ka ekspozuar shumë prej punimeve të tij në pika të ndryshme, përfshi edhe Galerinë Fab në Tiranë.

 Punime me thurje

Adhuruesit e veshjeve dhe artikujve të tjerë të punuar me shtiza duhet të sigurohen që të vizitojnë pazaret e shumta nëpër Shqipëri, ku do të gjeni punime shumë të bukura të realizuara me dorë. Në të gjithë Shqipërinë, por kryesisht në pazaret tradicionalë të Krujës,  Korçës, Gjirokastrës dhe Tiranës, vizitorët do të gjejnë çanta të vogla, batanije, çorapë dhe artikuj të tjerë të punuar me dorë.

 Raki në shishe prej druri

Shqipëria njihet si prodhuese e rakisë së një cilësie të shkëlqyer, sikurse është grapa tradicionale, që gjenden në të gjithë Gadishullin Ballkanik. Klientët mund ta blejnë pijen alkoolike në shishe shumë të bukura prej druri, që shiten kudo nëpër pazaret tradicionalë, si edhe në dyqane. Shishet kushtojnë vetëm disa euro dhe shpesh përmbajnë punime me motive të ndryshme popullore, si dhe flamurin kombëtar, të realizuara me gdhendje.

 Konjak “Skënderbeu”

Konjaku “Skënderbeu” është një nga pijet më të famshme në vend. Ky lloj konjaku njihet anembanë botës dhe ofrohet për shitje në shishe të përmasave të ndryshme, kështu që ju mund të zgjidhni sipas dëshirës, por mos u largoni pa blerë një të tillë./Atsh

 
 
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test