Mes detit dhe legjendës, kalaja shqiptare vizitohet nga 4 mijë turistë

Turizëm

Mes detit dhe legjendës, kalaja shqiptare vizitohet nga 4 mijë turistë

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 23:18
Kalaja e Porto Palermos

Nga janari i këtij viti deri në muajin qershor, kalaja e Porto Palermos është vizituar nga rreth katër mijë turistë. Një ndër monumentet më interesante sa i përket historisë së saj dhe pozicionit ku ndodhet është edhe kalaja e Porto Palermos, në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë bën me dije se nga muaji janar deri në mesin e qershorit kjo kala është vizituar nga 3 753 turistë, shumica e të cilëve janë të huaj. Sipas DRKK, Vlorë, 2908 nga këta vizitorë janë të huaj dhe 760 vendas, ndërsa gjatë stinës së verës pritet që numri i turistëve të rritet edhe më shumë.

Bukuria e kësaj kalaje, e ndërtuar rreth dy shekuj më parë, e tëra me konstruksion guri, është një prej më interesanteve për turistët dhe turizmin shqiptar. Kalaja e Porto Palermos ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Ajo është një nga sarajet e shumta të strategut Ali Pashë Tepelena, të cilat ai jo pa qëllim i ndërtonte në pika strategjike. Por kjo kala, qëndron në mes të detit dhe legjendës.

U ndërtua nga Ali Pasha si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë, të cilën, sipas kronikanëve të kohës, Pashai i Janinës e kishte shumë për zemër. Bukuria dhe madhështia e kësaj kalaje ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i “Konti Monte Kristos”.

Ajo ka fituar statusin “Monument Kulture “dhe është nën kujdesin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kështjella u ndërtua nën kujdesin e arkitektit Petro Përmetari dhe të një arkitekti italian.

Kalaja ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshet. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor. Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë të cilat përfundojnë në pjesën e sipërme me një tarracë të përbashkët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat