Makarona me mish e kërpudha, për një drekë të lehtë e të shijshme!

Ushqime

Makarona me mish e kërpudha, për një drekë të lehtë e të shijshme!

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 14:12
Makarona me mish e kërpudha

E diela është dita unike e javës, kur tryeza familjare mbushet me ushqim e karrige nga të gjitha anët. Duke lënë pas çdo angazhim, nga e hëna në të shtunë, sot është momenti që të shijoni një vakt të shijshëm pranë njerëzve më të dashur të zemrës.

Nga ana tjetër, jo gjithmonë jeni të pajisur me ide mbi gatimet, e kjo jo për fajin tuaj. Nuk është koha për të eksperimentuar me kuzhinën apo recetat e nderlikuara, ashtu sikurse është e rëndësishme të konsumoni sasinë e duhur të ushqimeve, e të kënaqeni me atë çka do të serviret në pjatë. Kështu, ne ju rekomandojmë recetën e thjeshtë të makaronave me mish e kërpudha, për një drekë speciale.

Përbërësit
1 pako makarona spageti
1/2 kilogram biftek
1 kavanoz kërpudha
1 lugë gjelle pluhur hudhre
1/2 filxhan krem gatimi (ose pana)
Kripë e piper për shije

Përgatitja
Fillimisht, zieni makaronat, e ndërkohë merruni me përgatitjen e përbërësve të tjerë. Në një tigan, me nxehtësi mesatare, skuqni biftekun, deri sa të marrë ngjyrë të kaftë. Kujdes: skuqja e tepërt çon në tharjen e panevojshme të mishit! Më pas, shtoni kërpudhat dhe pluhurin e hudhrës, dhe trazojini për pesë apo dhjetë minuta. Më pas, shtojeni përgatitjen tek makaronat e ziera, dhe pas kësaj shtoni kremin e gatimit. Përziejini nën temperaturë mesatare, deri sa kremi të marrë ngjyrë kafe të çeltë. Ndërkohë, mos harroni gjatë përzierjes të shtoni kripën dhe piperin, për shije më të veçantë. Ju bëftë mirë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat