Përgjimet për drogën në Vlorë, ja si komunikonin personat e përfshirë

Vlora

Përgjimet për drogën në Vlorë, ja si komunikonin personat e përfshirë

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 17:25
Ilustrim

Prokuroria për Krime të Rënda ngre dyshime se grupi kriminal që menaxhonte parcelat e hashashit në tre fshatrat e Vlorës, të asgjësuar ditët e fundit, merrej edhe me trafik të drogave të forta.

Në vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Taulant Haxhiraj, renditen provat dhe dyshimet e Prokurorisë për këtë grup kriminal që funksionon prej vitesh në qarkun e Vlorës.

Në dosje thuhet se, Haxhiraj është personi kryesor që organizon veprimtarin kriminale në fushën e kultivimit të bimëve cannabis sativa dhe në fushën e shitjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike të forta.

 Këtë krim, thuhet në vendimin e gjykatës, Haxhiraj e kryente në bashkëpunim me nipin e tij shtetasin Xhovalin Beko, shtetasin Shkëlqim Koçiaj, Arjan Hasanaj dhe personave të tjerë të dyshuar të kësaj dosje për të cilët vazhdon hetimi.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë nisur në korrik të këtij viti, pasi agjentët e Shërbimit Informativ Shtetërore kanë fotografuar parcelat dhe dorëzuar një material voluminoz në prokurori.

Me nisjen e hetimeve, thuhet në dosje, janë kryer një sërë veprimesh hetimore, ku ka rezultuar se ky grup kriminal të përfshirë në këtë aktivitet të kultivimit dhe tregtimit të drogës kanë krijuar lidhje me punonjës të policisë vendore.

Këta të fundit, mes tyre i dyshuari Renaldo Avduli, ka marrë përsipër mbrojtjen e shmangien nga asgjësimi i bimëve narkotike dhe mos dhënien e informacionit në polici për këto parcela hashashi kundrejt përfitimeve të paligjshme, si në para ashtu edhe në rrënjë kanabisi.

Në përgjime thuhet në dosje, Haxhiraj kontaktonte vetëm me Avdulin për parcelat ndërsa ky i fundit mbante kontakt me persona të tjerë, të njohur në botën e krimit të cilët po hetohen. Për ruajtjen e këtyre parcelave, thuhet në dosje, të dyshuarit kanë organizuar disa persona të armatosur për sigurinë e parcelave, që mbrëmjen e 4 tetorit u asgjësuan nga prokuroria për krime të rënda dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të kryeqytetit, duke shmangur kështu policinë vendore.

Edhe nga përgjimet telefonike, thuhet në dosje, të dyshuarit nuk janë treguar të kujdesshëm në komunikim, duke fol hapur dhe pa kode për parcelat e hashashit, në tre fshatrat e luginës së lumit Vlorë, Treblovë, Vranisht dhe Vezhdanisht. Për llogari të cilit u arrestuan edhe Shkëlqim Koçiaj, Klajdi Imeri, Arjan Hasani e Xhovalin Bako dhe punëtori i parcelave Albert Aliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat