Kryebashkiaku i Vlorës pranon ‘dështimin’ e parë: Ndjesë për...

Vlora

Kryebashkiaku i Vlorës pranon ‘dështimin’ e parë: Ndjesë për...

Më: 25 janar 2017 Në ora: 15:35
Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, u ka kërkuar falje qytetarëve publikisht për vonesën e punimeve të Lungomares, por edhe tragjedinë e ndodhur në të, ku humbi jetën një Kristi Panajoti dhe një tjetër mbeti i plagosur.

“Kërkoj ndjesë për të gjithë qytetarët vlonjatë për Lungomarën, zvarritjen e punimeve dhe për situatat që kanë ndodhur në të”, u shpreh kryebashkiaku, duke lënë të nënkuptuar tragjedinë ku një makinë ra në gropën e hapur nga firma e punimeve. Sipas tij, ky investim do të konkretizohet brenda këtij viti. Kjo deklaratë e Lelit u bë në ambientet e teatrit “Petro Marko”, ku është prezantuar projektbuxheti i bashkisë. Të enjten pritet të bëhet edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak, nga ku anëtarët do të vendosin nëse do të kalojë, raporton 'Panorama'. “Të gjitha projektet dhe vendimet që janë marrë dhe që po prezantohen këtu para jush, janë diskutuar me shoqërinë civile dhe me banorë të zonave të ndryshme. Prioritet i investimeve do të jenë ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit, si dhe në rikonstruksionin dhe sistemimin e disa rrugëve, pasi prej një kohe të gjatë në Vlorë nuk është bërë asnjë investim”, u shpreh kryebashkiaku.

Sipas tij, pritet të konkretizohen investimet, të cilat konsiderohen si më të rëndësishme në qytetin e Vlorës, që kanë njohur zvarritje të punimeve, siç janë bypass-i, si dhe Lungomarja. Por, ndërkohë, ai premton së do të konkretizojë edhe investimet në infrastrukturë brenda qytetit, të cilat janë lënë në harresë për shumë vite. Investimet nga vetë bashkia gjatë këtij viti do të prekin shifrën e 850 milionë lekëve. Ndërkohë që investimet në total, që pritet të realizohen edhe me fondet e krijuara nga BE dhe donatorë të tjerë, si FSHZH apo FZHR, do të jenë rreth 17.3 miliardë lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat