Gjosha në Vlorë: Bashkëpunim mes pushtetit qëndror dhe lokal për të luftuar dhunën në familje

Vlora

Gjosha në Vlorë: Bashkëpunim mes pushtetit qëndror dhe lokal për të luftuar dhunën në familje

Më: 6 shkurt 2017 Në ora: 15:28
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha theksoi të hënën, rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit qëndror dhe atij lokal si dhe të gjithë aktorëve për të luftuar dhunën në familje.

Ministrja Gjosha mori pjesë në tryezën e organizuar në Vlorë, me temë “Procesi i rehabilitimit të familjeve që kanë përjetuar dhunë psiko-socio-ekonomike”, ku të pranishme ishin edhe zv.Ministrja e Integrimit Europian, Erisa Xhixho, përfaqesues të shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera të qarkut.

“Shifrat në rritje të denoncimeve të dhunës ne familje, në një farë mase na bëjnë optimistë pasi ndryshimet ligjore në Kodin Penal dhe dënimet për këtë fenomen kanë bërë që sensibilizimi i grave dhe vajzave të jetë më i lartë. Por, nga ana tjetër këto shifra duhet të na bëjnë akoma dhe më të përgjegjshëm se bashkëpunimi mes pushtetit qëndror, lokal dhe shoqërisë civile duhet të jetë maksimal për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve”, tha Gjosha.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehën rëndësinë e nxitjes së punësimit dhe pavarësisë ekonomike si një prej mekanizmave më efektiv për rehabilitimin e familjeve të prekura nga dhuna.

Ministrja Gjosha theksoi se janë bërë hapa përpara për barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës në familje, si një prej 5 prioriteteve kyce të vendosura nga Bashkimi Europian për të ecur përpara me procesin e integrimit.

Zv. Ministrja e Integrimit Europian, Erisa Xhixho u shpreh se zbatimi i legjislacionit mund të jetë më efektiv përmes përfshirjes se aktorëve dhe vecanërisht pushtetit lokal, i cili me reformën e re territoriale ka rol kyc në ofrimim e shërbimeve. “Gjithashtu ne duhet të mundësojmë promovimin e një modeli të ri të gruas përmes edukimit dhe ndryshimit të mentalitetit. Është një proces që kërkon kohë”, tha Xhixho.

Përfaqësuesit e institucioneve shprehën gadishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin në mënyrë që të luftohet ky fenomen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat