Aksidenti misterioz që i mori jetën biznesmenit vlonjat, familja: E kanë vrarë

Vlora

Aksidenti misterioz që i mori jetën biznesmenit vlonjat, familja: E kanë vrarë

Më: 17 korrik 2017 Në ora: 09:08
Bukurosh Malaj

Një aksident i ndodhur në rrethana misterioze, i ka marrë jetën një biznesmeni vlonjat. Ngjarja e rëndë ka ndodhur katër ditë më parë në një fshat të Vlorës. Burime nga Policia bënë të ditur se biznesmeni Bukurosh Malaj, ishte duke udhëtuar më makinën e tij, në shoqërinë e një femre, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur. Por, ky aksident ka shfaqur dyshime të mëdha tek familjarët e viktimës, Bukurosh Malaj. Ngjarja është e rrethuar me mister për shkak të deklarimeve të femrës që udhëtonte me biznesmenin e Fast-Food-it në qytetin e Vlorës. Në një prononcim të bërë në media, familjarët e të ndjerit janë shprehur se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një aksident.

Ata e konsiderojnë këtë ngjarje si një vrasje. Sipas tyre, ka dyshime të forta që nuk kemi të bëjmë absolutisht me një aksident, nisur nga deklarata që ka dhënë shoqëruesja e Malajt. Të afërmit e Bukuroshit, thonë që ky aksident është i qëllimshëm dhe, se Policia duhet të hetojë për të zbuluar të vërtetën. “Këtu nuk kemi të bëjmë me një aksident. Bukuroshi është vrarë dhe ashtu duhet hetuar nga Policia. Të gjinden autorët e kësaj ngjarje të rëndë. Kemi dyshime të forta që Bukuroshi nuk ka vdekur si pasojë e një aksidenti. Bazohemi tek dëshmia që jep shoqëruesja e tij në momentin kur ka ndodhur ngjarja”, janë shprehur ata.

Dëshmia e shoqërueses

I gjithë aksidenti i mistershëm është parë nga një femër. Ajo ishte në shoqërinë e Bukurosh Malajt, kur ky i fundit është përplasur për vdekje. Por si qëndron e vërteta e aksidentit? Sipas saj, biznesmeni ka qenë duke udhëtuar me të në makinë, kur është përplasur nga një kamion dhe ka marrë plagë të rënda në kokë. Kjo e fundit ka njoftuar policinë, ndërsa biznesmeni është dërguar me urgjencë në Tiranë, ku ka qëndruar për tre ditë në koma, ndërsa mbrëmjen e së shtunës ka ndërruar jetë. Biznesmeni ka nxjerrë kokën nga dritarja e makinës. Sipas dëshmitares okulare për këtë ngjarje, ky ka qenë momenti fatal, pasi e ka përplasur një kamion.

“Kemi qenë duke udhëtuar me makinën e tij në fshatin Panaja të Vlorës. Ka qenë një shpejtësi normale. Në një moment, Bukuroshi ka nxjerrë kokën në dritaren e makinës dhe aty përfundoi gjithçka. Pash që kaloi një kamion i madh dhe pas kësaj jemi përplasur me bordurën. Unë nuk pësova dëmtime të rënda, por pash që Bukuroshi nuk po reagonte dhe se nga koka po i dilte shumë gjak. E kishte dëmtuar kamioni në momentin kur ai e nxori kokën në dritare”, është shprehur ajo gjatë dëshmisë në Policinë e Vlorës. Ndërkohë, këta të fundit e kanë regjistruar ngjarjen si aksidentale.

Ngjarja

Gjithçka ka ndodhur në aksin rrugor Panaja-Vlorë. Biznesmeni Bukurosh Malaj ishte duke udhëtuar me shoqëruesen e tij, identiteti i së cilës nuk dihet. Sipas informacioneve të marra në Policinë e Vlorës, i ndjeri kishte dalë me një femër dhe ishin duke u kthyer në Vlorë. Pikërisht në këtë moment, ka ndodhur edhe aksidenti i mistershëm, që ka ngjallur dyshime të shumta tek familjarët e biznesmenit. Sipas burimeve të Policisë, Bukurosh Malaj është goditur nga një kamion teksa ishte në parakalim.

Në këtë moment, ai ka humbur ndjenjat dhe makina që Malaj drejtonte është përplasur me bordurën, pa u dëmtuar shoqëruesja e tij. Kjo e fundit, në gjendje të rënduar psikologjike dhe me ndihmën e udhëtarëve të tjerë, e ka dërguar biznesmenin në Spitalin e Vlorës. Por asgjë nuk ka ndryshuar! Biznesmeni ka humbur ndjenjat dhe për tre ditë me radhë ka qëndruar në gjendje kome. Ai ka gjetur vdekjen në Spitalin e Traumës në Tiranë. Nga ana tjetër, mjekë të këtij spitali kanë bërë të ditur se biznesmeni nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve të shumta që kishte marrë në pjesën e kokës.

Sipas tyre, Bukurosh Malaj kishte përplasur kokën, e cila kishte pësuar thyerje të shumta, madje duke i prekur edhe trurin, gjë që ndikoi në vdekjen e tij pas tre ditësh. Pas kësaj ngjarje, familjarët e tij kanë hedhur dyshime që ngjarja që i mori jetën biznesmenit nuk ishte aksident. Sipas tyre, ngjarja është një vrasje. Ata kanë dyshime për aksidentin, pasi makina e këtij të fundit nuk ka asnjë lloj shenje që të jetë shkaktuar nga një aksident i rëndë, sa t’i merrte atij jetën. Ata kërkojnë hetim në thellësi të kësaj çështje dhe nuk duan që organet përkatëse ta trajtojnë thjesht si një aksident. Prej disa kohësh, sipas tyre biznesmeni nuk jetonte me bashkëshorten.

Përplasja

Kjo ngjarje e rëndë ka krijuar një përplasje mes Policisë së Vlorës që po heton ngjarjen dhe familjarëve të biznesmenit që humbi jetën dy ditë më parë. Këtë ngjarje, burime nga Policia e Vlorës kanë bërë të ditur se e kanë regjistruar si një aksident dhe si të tillë po e hetojnë. Por, organet e Policisë janë hasur në përplasje me familjarët e të ndjerit. Këta të fundit i kërkojnë Policisë së Vlorës që kjo ngjarje të mos hetohet si një aksident, por si një vrasje sipas tyre, Bukurosh Malaj është vrarë teksa drejtonte makinën e tij. Sipas tyre, automjeti i tij nuk ka pësuar ndonjë dëmtim që mund të çonte në vdekjen e një personi. Edhe shoqëruesja e biznesmenit mësohet se nuk ka pësuar dëmtime në trup. Familjarët i kërkojnë Policisë që të hetojnë ngjarjen dhe të zbardhet e vërteta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat