Atentati në Lungomare, ekzekutohet “Reni” i Vlorës, dy vite më parë i vranë nipin - Bota Sot
Atentati në Lungomare, ekzekutohet “Reni” i Vlorës, dy vite më parë i vranë nipin

Vlora

E martë, 12 dhjetor 2017

Atentati në Lungomare, ekzekutohet “Reni” i Vlorës, dy vite më parë i vranë nipin

Më: 31 korrik 2017 Në ora: 07:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Marjen Xhaferaj, 37 vjeç, vritet në mes të Vlorës. Vrasësi ikën në këmbë. Policia gjen pistoletën e viktimës! Hetohen pazaret e prishura të drogës, pasi dy vite më parë në Durrës iu ekzekutua djali i motrës, Endri Çaushaj

Sërish Vlora, sërish atentat e sërish i vrarë një djalë Vlore! Atentatori është afruar te ta volina në të cilën shënjestra e tij po pinte me një mikun e – tij dhe nga aty ka lëshuar plumba mbi të dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Në fakt është larguar i qetë në këmbë, ashtu siç largohen rëndom vrasësit e kohëve të fundit, e kryesisht vrasësit me pagesë. Policia si gjithnjë në vendin e ngjarjes gjen viktimën, disa dëshmitar të rastësishëm të cilët nxjerrin telefonat dhe bëjnë video dhe nëse autori ka lënë ndonjë shenjë gjëkundi. Në fakt vrasësi i mbrëmshëm ishte treguar mjaft i kujdesshëm. Nuk kishte lënë asnjë provë në vendin e ngjarjes ndërsa një pistoletë që u gjend aty, policia më vonë tha se ishte pistoleta e viktimës. Asnjë gjurmë nga vrasësi, edhe pse policia deri afër mesnatës bënte me dije herë pas herë se po krihej zona, e në fakt të dhënat vinin plot dy orë pas atentatit të bujshëm që i mori jetën 37-vjeçarit, që sipas të dhënave ai ishte me precedent kriminal të mëparshëm.

Por ajo që bie në sy në atentatin e një nate më parë në mes të Vlorës dhe në mes të dhjetëra kalimtarëve është fakti se policia po kërkonte të gjente emrin e viktimës, ndërsa e vetmja e dhënë që e identifikonte disi të vdekurin nga plumbat e atentatorit ishte fakti se: ishte daja i Endri Çaushajt, 25-vjeçarit vlonjat që u ekzekutua në mënyrë demonstrative në Durrës në funddhjetorin e dy viteve më parë! Endri u vra bashkë me shokun e tij Ervin Kodra dhe të gjitha të dhënat jo zyrtare thanë se bëhej fjalë për trafik droge mes grupesh rivale. Por në lidhje me atentatin e mbrëmshëm, policia ende nuk ka version dhe as pistë, paçka se puna e parë që u bë mbrëmë në drejtim të hetimit të ngjarjes ishte fakti se viktima kishte qenë me precedent pasi kishte tentuar dikur të vriste dikë! Policia nuk e di ende se kë ka dashur të vrasë viktima e mbrëmshme me disa emra, por që sipas të dhënave quhej Marjen Xhaferaj!

Ngjarja sipas policisë

Policia e Shtetit bëri të ditur se rreth orës 21:15 është njoftuar së në një lokal në Lungomare ka pasur të shtëna me armë zjarri ku dyshohet se kishte një person të vrarë. Policia thotë se në drejtim të vendit ku u dha njoftimi kanë shkuar forca të shumta policie. Aty është konstatuar se Marjen Xhaferaj, i njohur edhe si Marjen Omeri 37 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, për pasojë ka ndërruar jetë. Sipas policisë viktima ka qenë në lokal i ulur me një tjetër person. Në drejtim të tij është afruar një person i cili e ka qëlluar me armë zjarri. Autori është larguar më këmbë mes pallateve. Policia thotë se ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli dhe në ndihmë të Policisë së Vlorës për kapjen e autorit kanë ardhur Delta Forcë e FNSH. Policia thotë se vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Sipas policisë në vendngjarje janë sekuestruar disa gëzhoja ndërsa disa metra më tutje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë që dyshohet se ishte e Marjen Xhaferajt. Policia thekson se viktima ka ndërruar emër e mbiemër dhe rezulton me precedent kriminal. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Hetimi dhe dyshimi

Edhe pse viktima e djeshme në Vlorë është me precedent kriminal, sipas policisë, fakti i vetëm që e lidh këtë ngjarje është pikërisht vrasja e 20 dhjetorit të vitit 2015 në afërsi të ish-Vollgës. Aty u ekzekutuan me kallashnikov dy të rinj, njëri prej të cilëve mësohet se është djali i motrës së Marjen Xhaferajt, i cili u ekzekutua mbrëmë. Aso kohe u fol shumë në lidhje me atë ngjarje, aq sa vetëm dy javë më vonë vendi do të tronditej nga një tjetër ngjarje; rrëmbimi, masakrimi dhe vrasja e Gaz Çollakut, vrasje që në fakt u lidh gjithnjë me vrasjen e dy djemve, Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj. Sipas të dhënave të para mësohet se mbrëmjen e djeshme menjëherë ekspertët e policia kanë nisur verifikimin e ditëve të fundit të Marjen Xhaferajt për të kuptuar se çfarë kishte bërë apo nëse ishte kërcënuar. Njëkohësisht janë sekuestruar telefonat celular dhe një sërë pamjesh filmike. Njeriu i parë që ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur në atë moment ka qenë njeriu që ka qenë në tavolinë me të, ndërkohë që ka thë- në se personi ka qenë i maskuar me kapuç dhe se është nisur në këmbë në drejtim të pallateve. Janë dhënë të dhëna konkrete në lidhje me paraqitjen e tij fizike, ndërsa bëhet me dije se shpejt policia mund të ketë një identikit të vrasësit të mbrëmshëm. Po ashtu sipas burimeve konfiedenciale, policia dhe prokuroria kanë hapur dosjet e vjetra të Vlorës dhe vlonjatëve për të mësuar se ku mund të ketë qenë i përfshirë viktima e mbrëmshme e po ashtu bëhet me dije se në fokus është edhe çështja e vrasjes së nipit të tij në Durrës. Policia dhe prokuroria po verifikojnë ndonjë viktimë të pas asaj ngjarjeje, në fakt ka shumë të tilla në vendin tonë e që mund të kenë lidhje edhe me atë vrasje. Ndërsa në lidhje me precedentët e vet, policia nuk mund t`a faturojë ngjarjen si një hakmarrje personale.

Vrasja e 20 dhjetorit 2015

Plot 33 herë u qëlluar në drejtim të makinës ku udhëtonin Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj të cilët kanë mbetur të vdekur në vend. Atentati ndodhi mbrëmjen e së dielës (20 dhjetor 2015) rreth orës 20:45në lagjen numër 3, pranë hyrjes së Portit të Durrësit . Autorët, ende të paidentifikuar, kanë pritur momentin kur dy të rinjtë, Ervini nga Durrësi dhe Endri nga Vlora, kanë hipur në makinë për të qëlluar më pas në drejtim të tyre. Ervin Kodra 28 vjeç dhe Endri Çaushaj 25 vjeç kanë marrë plagë në kokë dhe në gjoks. Ndonëse u ngritën postblloqe askush nuk u kap për atë ngjarje e madje askush nuk tha kurrë se përse ndodhi ajo ngjarje. Pak kohë më vonë doli versioni se vrasja ishte kryer për shkak të pazareve të drogës, më pas u tha se Kodra kishte pjesë edhe në Vollgën e famshme për të cilën gjenden në gjyq Emilajno Shullazi dhe një sërë personash të tjerë. Po asnjë e dhënë më nuk solli ndonjë ndryshim të çështjes së vrasjes së dy të rinjve, njërit prej të cilit i vritet edhe daja në Lungomare!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test