Sherr për pronën/ Nipi i burrit kërcënon gruan në banesë: Largohu, ose...

Vlora

Sherr për pronën/ Nipi i burrit kërcënon gruan në banesë: Largohu, ose...

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 15:59
Policia e Vlorës

Policia e Vlorës ka arrestuar një person, i cili dyshohet se në bashkëpunim me një tjetër shtetas, pasi kanë hyrë në një banesë, kanë kanosur me armë zjarri të zonjën e shtëpisë, duke ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj.

“Më datë 14.08.2017 rreth orës 01:30, Salla Operative Vlorë njoftohet se në një banesë në fshatin Brataj, ka të shtëna me armë zjarri. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se është qëlluar me armë në banesën e shtetasit Sh. S., dhe F. S.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kjo e fundit ka shtuar se autorët kanë qenë dy persona, të cilët pasi kanë qëlluar më armë në pjesën e brendshme të banesës, (në korridor), kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases F. S., dhe më pas janë larguar menjëherë.

Gjithashtu mësohet se nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Ndërkohë nga hetimet e policisë ka rezultuar se ish-bashkëshortët (shtetasit Sh. S., dhe F. S), të cilët janë ndarë ligjërisht, kanë konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin për çështje pronësie.

( Dyshohet se dy shtetasit kanë hyrë në banesë, për të kanosur me armë shtetasen F. S., ku kanë përdorur edhe dhunë fizike ndaj saj, si një formë kërcënimi për t’u larguar nga banesa e ish-bashkëshortit të saj).

Si rezultat i hetimeve dhe kontrolleve që policia nisi për identifikimin dhe kapjen e autorëve u bë e mundur kapja dhe ndalimi i njërit prej tyre, konkretisht:

Ervis Karçanaj, 24 vjeç, banues në Velsh, Vlorë.

Ky shtetas rezulton të jetë nip i shtetasit Sh. S., ku së bashku me autorin tjetër (ende të paidentifikuar nga policia), kanë hyrë në banesë dhe kanë kanosur shtetasen F. S.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dytë të kësaj ngjarjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat