E dogjen me acid, ja çfarë thotë sot vajza nga Vlora

Vlora

E dogjen me acid, ja çfarë thotë sot vajza nga Vlora

Më: 30 gusht 2017 Në ora: 18:23
Vilma Dule

Vilma Dule ka vendosur të shfaqë fytyrën e saj në rrjete sociale, 4 vjet pas ngjarjes barbare ku u sulmua me acid në rrugë.

27 vjeçarja nga Vlora punonte si menaxhere e burimeve njerëzore pranë një call center-i Italian, dhe më 27 gushtit 2013 kur ishte duke dalë nga shtëpia ajo u sulmua me acid në fytyrë nga një i panjohur, duke i shpërfytyruar fytyrën, rrezikuar seriozisht shikimin e shkaktuar lëndime serioze në kraharor dhe krahë.

Ky ishte dhe krimi i parë i këtij lloj në vendin tonë.

E ndërsa tani ajo ka gjetur forcën për të dalë para të gjithëve dhe për të treguar se ajo nuk do të dorëzohet asnjëherë, pavarësisht se çfarë i ndodhi dhe i shënjoji jetën.

“4 vjet më parë, më 27 gusht 2013, një burrë më sulmoi me acid teksa po dilja nga shtëpia për të vajtur në punë. Ishin të shumtë ata që mendonin se s’do t’ia dilja të ringrihesha pas kësaj goditjeje të rëndë. Nuk e mohoj, e kam menduar dhe vetë ndonjëherë këtë gjë. Por, sa herë që isha gati të dorëzohesha, i kujtoja vetes se sa e bukur ishte dhurata e të rilindurit për herë të dytë dhe që nuk duhej ta ‘shpërdoroja’ duke u ankuar e duke qarë për fatin tim të hidhur. Përkundrazi, duhej të luftoja për të ndryshuar pikërisht atë, rrjedhën e Fatit.
Sot, pas 4 vitesh, jam një Grua e vetëdijshme për forcën e saj, sepse e di që limitet e vërteta janë ata që ne i vendosim vetë vetes.
Sot, jam një grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë.
Sot, jam një Grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet.
Sot, jam një grua që i dashuron vragat në fytyrë sikur të ishin rrënjët e saj.
Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë”- shkruan Vilma Dule.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat