Atentati në Vlorë, dyshohet hasmëria mes 2 fiseve: Edhe babai i njerit prej të plagosurve, i ekzekutuar - Bota Sot
Atentati në Vlorë, dyshohet hasmëria mes 2 fiseve: Edhe babai i njerit prej të plagosurve, i ekzekutuar

Vlora

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Atentati në Vlorë, dyshohet hasmëria mes 2 fiseve: Edhe babai i njerit prej të plagosurve, i ekzekutuar

Më: 1 tetor 2017 Në ora: 11:28
Vlora

Policia e Vlorës ka nisur hetimet për atentatin që iu bë sot dy personave në qëndër të Vlorës. Dyshohet se njeri nga të plagosurit, Ferdinand Llanaj, 39 vjeç është djali i Baftjar Llanajt, që u ekzekutua në vitin 2001 në të njëjtën makinë ku u qëllua sot i biri, Benz me targa VL 6568 C. 

Pistat e hetimit janë disa, por një ndër to, hasmëria. Hasmëria e Baftjar Llanajt ishte me fisin Xhaferri, pasi vëllezërit Llanaj kishin vrarë dy vëllezër të fisit Xhaferri.

KONFLIKTI MES DY FISEVE, KRONOLOGJIA E VRASJEVE

Konflikti ndërmjet fiseve Llanaj dhe Xhaferri ka nisur në vitin 1998, kur u vra me armë në Selenicë të Vlorës Gjysh Xhaferri. Baftjar Llanaj u akuzua për vrasjen e tij.

Në qershor 2011 u ekzekutua Baftjar Llanaj. Policia arrestoi autorin Sako Xhaferri, djali i Gjysh Xhaferrit.

Në shtator 2011, tentohet të vritet Nihat Xhaferri, djali i viktimës Gjysh Xhaferri nga  Altin Aliaj, nipi i familjes Llanaj. Altin Aliaj u la me “detyrim paraqitje” nga Gjykata.

Në janar 2012 u vra në atentat Nure Xhaferri, 52 vjeç, djali tjetër i Gjysh Xhaferrit. 1

Sot, më 1 tetor 2017 u plagos në atentat, Ferdinand Llanaj, djali i të ndjerit Baftjar Llanaj.

SI U VRA BAFTJAR LLANAJ

Baftjar Llanaj, u vra në 2011-­ën në Selenicë të Vlorës, pas një prite që iu zu pritë nga autorët ndërsa kthehej për në qytetin bregdetar. Nga plumbat u plagos edhe një prej dy atentatorëve, i cili përfunduar në spital në gjendje të rëndë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 qershor të 2011­0ës rreth orës 18:00 në rrugën që lidh qytezën e Selenicës me Vlorën, në vendin e quajtur “Bishti i Malit”.

Sipas burimeve të Policisë së Vlorës në atë kohë, 60­ vjeçarit Llanaj i është zënë pritë duke u qëlluar me breshëri automatiku nga të paktën dy persona. Autorët kanë qenë në buzë të rrugës, duke ditur lëvizjet e Llanajt, i cili shkonte shpesh në Selenicë, (vendi i lindjes), ku kishte pronat e veta dhe ullishte. Sapo makina “Benz” me targa VL 6368 C e Llanajt është afruar, autorët kanë nisur të qëllojnë drejt saj me automatik. Për shkak të inercisë, makina ka lëvizur për 10 metra, duke përfunduar më pas në një kanal buzë rruge. Autorët i janë afruar duke vazhduar ta qëllojnë me armë zjarri, ç'ka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme 60-­vjeçarit.

Nga breshëria e pakontrolluar e personave me qëllim eliminimin e Llanajt, ka mbetur i plagosur rëndë edhe shtetasi Sako Xhaferri, 45 vjeç nga Selenica, i cili më pas është shoqëruar në Spitalin e Vlorës, ku ndodhej në gjendje të rëndë. Nga kontrolli i policisë ushtruar ndaj Xhaferrit, atij i është gjetur një kokore si dhe një palë doreza.

Po ashtu, sipas Policisë së Vlorës e cila ka bërë dhe këqyrjen e vendngjarjes, janë gjetur dhjetëra gëzhoja të automatiku me të cilin është vrarë 60­vjeçari. Nga të dhënat paraprake dyshohet se krimi mund të jetë kryer për shkak të hakmarrjes, pasi vite më parë, Llanaj ka plagosur rëndë pas një sherri babanë dhe vëllanë e Xhaferrit. Si pasojë e dhunës, më vonë babai i autorit të djeshëm ka vdekur, ndërsa vëllai i tij ka humbur njërin sy. Nisur nga ky precedent policia dyshon se bëhet fjalë për një hakmarrje ndaj Baftjar Llanajt dhe se atentatori kryesor ka qenë Xhaferri. 

Njoftimi i plotë i Policisë së Vlorës

Më datë 01.10.2017, rreth orës 09: 35, në rrugën Transballkanike, pranë një karburanti, nga persona ende të pa identifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të  një mjeti ''Mercedes Benz'' me targa VL 63 68 C.

Nga të shtënat me armë zjarri kanë mbetur  të plagosur shetasit D.B., 50 vjeç dhe F.Ll., 39 vjeç

Të dëmtuarit  janë transportuar menjëherë  për  të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë sëbashku me grupin hetimor ku po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha kryqëzimet kryesore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test