Masa të ashpra për ndotësit e mjedisit - Bota Sot
Masa të ashpra për ndotësit e mjedisit

Vlora

E enjte, 14 dhjetor 2017

Masa të ashpra për ndotësit e mjedisit

Nga: ATSH Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 07:21
Vlorë

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, promovoi sot nga Vlora nisjen e aksionit kombëtar “Të pastrojmë Shqipërinë”, një nismë që synon pastrimin e territorit nga mbetjet urbane dhe që pritet të startojë në 24 nëntor.

Ky aksion, që do të shtrohet në të gjithë vendin në një hark kohor prej 6 muajsh, ka objektiva të qarta që lidhen me përmirësimin e standardeve mjedisore, si një domosdoshmëri për të synuar dimensione të tjera në zhvillimin e turizmit, përfshirë edhe atë elitar, ku Vlora zë një vend kryesor.

Duke folur në një takim ku ishin të pranishëm organizata që veprojnë në fushën e mjedisit, si edhe në sektorë të tjerë që lidhen indirekt me të, Klosi theksoi se, në pararendje të aksionit “Të pastrojmë Shqipërinë”, ishte evidentimi i një numri të madh pikash të grumbullimit të mbetjeve, pasojë e punës në rritje të strukturave të Ministrisë.

Duke u fokusuar tek aksioni kombëtar që do të nisë në datën 24 nëntor, Ministri Blendi Klosi u shpreh se, “ai shënon vetëm stacionin e tij të parë. “Për 6 muaj, deri në 24 maj, ne do të jemi në të gjithë Shqipërinë, së bashku me grupe vullnetare, institucione e pushtetin vendor, së bashku me shoqatat e mbrojtjes së mjedisit, për të bërë jo vetëm aksion, por një fushatë të menduar qartazi, se si Shqipëria duhet të pastrohet nga papastërtitë, por edhe si Shqipëria duhet të pastrohet më shumë se kaq, nga krijuesit e këtyre papastërtive”.

Në këtë drejtim ai theksoi se, janë evidentuar një sërë problematikash në të gjithë sistemin tonë të mbrotjes së mjedisit, të cilat i ka krijuar koha, i ka krijuar burokracia, problematika që i ka krijuar korrupsioni dhe administrata publike. “Në këtë rast, unë nuk doja të bëja me faj qytetarët, por institucionet të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të ulen, të nxjerrin problematikat dhe të kuptojmë se përse kemi shkuar në këtë pikë”, theksoi Ministri Klosi.

Sipas tij, në përgatitje të këtij veprimi kombëtar, vetëm në 10 ditë u fotografuan mbi 9 mijë pika grumbullimi mbetjesh urbane në të gjithë vendin, të cilat, u shpreh ai “do të bënin me turp çdonjerin nga ne”, por që fare thjesht mund dhe do të shndërrohen në hapësira të gjelbra me punë të studiuar.

Duke ju referuar Qarkut të Vlorës, qarkut lider në fushën e turizmit, ku, sipas Ministrit Klosi pritet të startojë me paketën e re fiskale edhe pikënisja e strukturimit të ndërtimit të turizmit elitar shqiptar, në 10 ditë janë evidentuar 1800 pika që kanë mbetje urbane.

 Ai shtroi domosdoshmërinë e të qenit bashkë në këtë aksion, me Bashkinë, institucionet, vullnetarët me qëllim për të realizuar objektivin që, në 1 Qershor 2018, në ditën e çeljes zyrtare të sezonit turistik, të jemi me një Vlorë të pastër, të jemi me një Shqipëri të pastër.

Në fjalën e tij, Ministri Klosi evidentoi se, problematikat në fushën e përmirësimit të standardeve mjedisore, nisin me mënyrën e menaxhimit të mbetjeve urbane, ku vuri në dukje mungesën në Vlorë të një “landfilli” të menaxhuar me leje dhe parametra mjedisorë. Duke sjellë këtë shembull për bashkinë dhe për vetë qytetin, ai vlerësoi se situata në mjediset rurale është më evidente, ku ish komunat, sipas tij i kanë trajtuar mbetjet urbane në mënyrë tërësisht amatoreske.

Ministri Klosi nënvizoi se do të kërkohet me ngulm për një strukturë të re të menaxhimit të mbetjeve urbane, për të filluar jo “nga lartë poshtë”, por, “nga poshtë lart” për të menaxhuar më mirë mbetjet urbane në çdo fshat, në çdo lagje të qytetit, në çdo njësi vendore, për të shkuar tek projekti i madh që ka Ministria e Infrastrukturës për landfillin e ri në Qarkun e Vlorës.

Ndërkohë, për Ministrin Klosi, një shqetësim madhor është edhe ndotja e hapësirës detare nga shkarkimet e resorteve apo objekteve hotelerike. “Do të vihet kusht që të gjitha hotelet, të instalojnë sistemin “depurator”, theksoi Klosi, duke shtuar se do të ketë vendime të Qeverisë për këtë çështje.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli theksoi se, përmirësimi i mjedisit është një nga sfidat e tij, çka e ka reflektuar edhe në aktivitetin e përditshëm dhe në nismat që ka ndërmarrë. Në këtë drejtim, Leli vuti në dukje se, investimet e kryera së fundi në Vlorë, kanë ndikuar pozitivisht edhe në drejtim të një culture të re qytetare për të mirëmbajtur mjedisin, duke sjellë me këtë rast shembullin e “Lungomares”.

Kryebashkiaku vlonjat, vlerësoi mbështetjen e qeverisë në këtë drejtim, duke theksuar se, të qenit bashkë në këtë aksion, pushtet qendror dhe vendor, si edhe organizatat dhe faktorët e tjerë lokalë, do të garantojnë rezultate konkrete.

Përfaqësues të organizatave të ndryshme, mes të cilëve, Ervin Shehaj, Mirela Koçi, Simo Ribaj, Niko Dumani, prezantuan një sërë problemesh dhe sugjerimesh për përmirësimin e veprimeve në kuadër të aksionit kombëtar “Të pastrojmë Shqipërinë”, si edhe të tjera që synojnë standarde mjedisore.

Në këtë aksion, pritet të angazhohen rreth 150 mijë vullnetarë në të gjithë vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test