Kupa e Federatës, Farka Voley dhe UMB dominojnë

Volejboll

Kupa e Federatës, Farka Voley dhe UMB dominojnë

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 23:30
Kupa

Nis me trofe sezoni për Farka Voley dhe UMB Voley. Federata Shqiptare e Volejbollit çeli sezonin e ri me Kupën e Federatës si për meshkuj ashtu edhe për femra ku skuadra e Farka Voley rrëmbeu trofeun e parë të historisë, duke rezultuar surpriza e këtij evenimenti. Djemtë e drejtuar nga trajneri Dritan Bardhi kaluan 3-2 në finale Tiranën, duke hedhur kandidaturën edhe si një nga skuadrat pretendente të këtij sezoni në kampionat. U duk gjithçka e lehtë për bardheblutë që e nisën sfidën me suksesin e lehtë në dy setet e para, por ekipi nga periferia e Tiranës gjeti forca dhe barazoi rezultatin, madje në setin  e fundit arriti të fitonte me rezultatin e ngushtë 15-13.

Një duel i fortë që reflekton rritjen e nivelit në volejbollin e meshkujve ku përveç Farkës e Tiranës, në garë për titullin do të jenë edhe Studenti, Partizani, ndërsa Vllaznia dhe Teuta synojnë të bëjnë surprizën. Për femrat, kampionet në fuqi të UMB Voley respektuan parashikimin duke kaluar lehtësisht në finale Tiranën me rezultatin 3-0. Gjatë këtij sezoni, UMB mbetet sërish skuadra për t’u mundur pasi ka arritur të ruajë grupin e suksesshëm të viteve të fundit.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat