Vllaznia kampione e Shqipërisë, mund Studentin

Volejboll

Vllaznia kampione e Shqipërisë, mund Studentin

Më: 29 prill 2017 Në ora: 01:15
Vllaznia

Vllaznia fiton edhe ndeshjen e tretë të serisë përmyllëse të kampionatit duke koleksionuar njëherësh edhe titullin e parë në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj. Atë që nuk bëri dot ndaj Arben Sakos si lojtar Mark Krroqi e arrin si trajner, për më tepër duke e fituar trofeun më të rëndësishëm të volejbollit shqiptar të meshkujve pikërisht në fushën e Studentit. E gjendur në disavantazhin 2-0, në rezultatin e përgjithshëm, ashtu si edhe në takimin hapës të play off-it të finaleve skuadra e Studentit fitoi setin e parë, një set tepër i rivalizuar, ku u regjistruan plot 21 barazime gjithsej. Në një set të gjatë 35′, ku dominuan gabimet e shumta, sidomos në shërbim, rezultati ishte vazhdimisht në ekuilibër, megjithatë ekipi i Arben Sakos u tregua më i qetë dhe pasi i anulloi dy mundësi skuadrës së Vllaznisë siguroi setin e parë me shifrat 28-26. Gjërat në vazhdim ndryshuan dhe pika e kthesës ishte padyshim në gjysmën e setit të dytë.

Shumë pranë pushimit të dytë teknik kampionët në fuqi udhëhiqnin 15-9, sidoqoftë Vllaznia në mënyrë të pabesueshme fitoi 11 pikë radhazi duke kryesuar 20-15, për të mbyllur më pas historinë e setit të dytë me rezultatin 25-20, pas 26′ lojë. Në setin pasardhës vendasit ishin në avantazh deri pranë fundit, teksa kryesonin 19-17, gjithsesi pas pushimit të kërkuar nga trajneri Mark Krroqi dhe rezultatit 20-17 Vllaznia reagoi shkëlqyeshëm dhe përmbysi situatën, duke fituar 25-23 pas 30′ lojë. Në setin e katërt ekipi që kishte fituar 5 titujt e fundit në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj natyrisht që nuk kishte më asgjë për të humbur, e në fakt Studenti përsëri ishte përpara në rezultat, teksa udhëhiqte 19-18. Ekipi shkodran që për herë të fundit kishte kryesuar në rezultatin 5-4, mori epërsinë në shifrat 20-19 dhe pasi shpërdoroi mundësinë e parë siguroi edhe setin e katërt me rezultatin 25-22, duke mbyllur gjithcka në 1h 57′.

Një edicion që do të mbahet mend gjatë, për vetë rrethanat në të cilat u sigurua, pasi ekipi shkodran rrezikoi për të mbyllur sezonin e rregullt jashtë play off-it, megjithatë në fazën përfundimtare Vllaznia për habinë e të gjithëve eliminoi fillimisht në gjysmëfinale me rezultatin 2-1 Partizanin e Ylli Tomorrit, ndërsa në finalen e madhe skuadra e Mark Krroqit përsëriti shifrat 3-1 duke mbyllur gjithcka me rezultatin e pastër 3-0. Trajneri Arben Sako në krahun tjetër ndalet sërish në pengesën e fundit, ndërsa Studentit që kishte koleksionuar 9 tituj në dekadën e fundit nuk i mbetet gjë tjetër përvecse t’i këshojë udhë kuqeblube të Vllaznisë, që bëhen kështu klubi i shtatë që shënon emrin në librin e artë të volejbollit shqiptar të meshkujve, në 71 edicione që janë zhvilluar gjithsej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat