Kadriu: Gentiana mund të bëhet lojtare cilësore

Volejboll

Kadriu: Gentiana mund të bëhet lojtare cilësore

Nga: Kemajl Goca Më: 2 maj 2017 Në ora: 17:00
Gentiana Hoxha

Në sportin e volejbollit kemi një numër të volejbollisteve të talentuara që premtojnë shumë për të ardhmen, ndër to është edhe Gentiana Hoxha e cila luan për KV Skenderajn U-16 dhe mëton që të përsoset sa më shumë në sportin skofiar. 13-vjeçarja është e lumtur që iu dha mundësia të luajë dhe tregoi talentin e saj. “Ndihem mirë, sepse të luash në moshë të re, kjo më bënë që të motivohem edhe më shumë. Synoj që të ngritëm sa më shumë si volejbolliste dhe të rrisë cilësitë që i kam”, tha Hoxha, e cila zotohet se do të punojë më shumë për të arritur në nivelin më të lart të mundshëm:

“Gjithmonë më ka pëlqyer ky sport dhe kam punuar që të jem këtu ku jam. Është e vështirë, sepse mosha e re e bën të vetën, por kam punuar dhe do të punoj ende që të ngritëm sa më shumë dhe e dua këtë sport”. Gentiana është e gjatë 163 centimetra e cila ka të gjitha parametrat që të jetë një lojtare e shquar në të ardhmen.

Trajneri i Skenderajt, Ylli Kadriu, ka fjalë të mira për Gentianën. “Gentiana është një vajzë e re, e talentuar, predispozitat i ka, sepse mendoj që edhe do të zgjatet në bazë të konstruktit të trupit. Ajo çka ka rëndësi është që në garat U-16 që u mbajtën para tri ditëve me dha një sinjal të mirë që mund të bëhet lojtare cilësore, sepse ishte e koncentruar, pa frikë edhe pse shumë e re në moshë, si dhe vetëm ndeshja e parë si lojtare standarde. Por gjithsesi varet se sa do të punoj në të ardhmen dhe si do të ecë zhvillimi i saj”, thotë Kadriu për gazetën kombëtare “Bota sot”. Synimi i Kadriut është që t’i përkushtohet sa më shumë punës me të reja, sepse aty e sheh të ardhmen jo vetëm të klubit të tij por në përgjithësi të volejbollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat