Tuci: Kombëtarja një nder, luajmë për kualifikimin

Volejboll

Tuci: Kombëtarja një nder, luajmë për kualifikimin

Më: 23 maj 2017 Në ora: 13:09
Esmeralda Tuci në aksion

Kombëtarja e volejbollit për femra ka vijuar punën e saj në përgatitjen për Ligën e Europës, turne ku vajzat kuqezi do të luajnë për të dytin edicion radhazi. Lojtaret shprehen të kënaqura me punën e bërë deri më tani, nga skuadra e stafi dhe njëra prej tyre që vlerëson hapat e bëra është Esmeralda Tuci, tashmë një veterane dhe që prej vitesh vesh fanellën kuqezi. “Stërvitja po shkon shumë mirë. Stërvitemi dy herë në ditë dhe kjo është e rëndësishme, pasi na jep mundësi të përgatitemi sa më mirë për këtë turne të rëndësishëm. Po alternojmë punën në parket me atë në palestër apo pishinë dhe deri më tani të gjitha vajzat, por edhe stafi, janë të kënaqur me punën e bërë”, u shpreh Esmeralda Tuci, një nga volejbollistet veterane të ekipit kombëtar. Një fakt që e bën atë një lidere në fushë, pasi përvoja e fituar ndër vite është e rëndësishme në këtë event, shkruan faqja e Federatës së Volejbollit Shqiptar.

Në lidhje më këtë fakt, Tuci shton: “Fakti që jam pjesë e kombëtares, ku kam vite e kam kaluar disa breza, më bën të ndihem krenare. Por unë dua që këtë përvojë ta vë në dispozicion të skuadrës, për të arritur të gjithë së bashku objektivat që i kemi vënë vetes. Por dua të thekson se çdo grumbullim është ndryshe nga tjetër, me emocionet dhe kënaqësi të veçanta”, u shpreh më tej volejbollistja e Partizanit në kampionatin shqiptar. “Kishim vite që nuk grumbulloheshim kaq gjatë dhe kjo është pozitive. Sa më shumë qëndrojmë së bashku, aq më shumë ekipi është i bashkuar, në fushë dhe jashtë saj. Edhe stafi është duke u impenjuar në maksimum dhe duam të gjithë të tregojmë se sa vlejmë”, u shpreh më tej Esmeralda Tuci.

Lojtarja kuqezi falënderon edhe Federatën për punën e bërë, që i jep mundësi ekipit të marrë pjesë në arenën ndërkombëtare  dhe të qëndrojë kaq shumë së bashku, duke krijuar kushte të mira dhe bazë materiale të nevojshme për të arritur objektivat. “Nga Federata kemi mbështetjen maksimale, ndërkohë që edhe baza materiale e siguruar është e mirë. Ne shpresojmë që falë punës së bërë të gjitha së bashku të arrijmë objektivat, pse jo, të sigurojmë kualifikimin për në fazën finale. Shpresojmë që fansave që do të na mbështesin në Tiranë t’ua shpërblejmë me fitore”, deklaroi Esmeralda Tuci. Shqipëria ndodhet në Grupin A të Ligës Europiane, bashkë me Finlandën, Austrinë e Bjellorusinë. Ndeshjet e para do të luhen më datat 9-11 qershor, në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat