Abedini i ‘keq’, i ‘poshtër’, por ka një të mirë!

Volejboll

Abedini i ‘keq’, i ‘poshtër’, por ka një të mirë!

Nga: Kemajl Goca Më: 30 maj 2017 Në ora: 14:13
Abedin Ibrahimi

Kritikat janë të mira qoftë me vend qoftë pavend, me rëndësi je në qendër të vëmendjes. Ka kohë që disa nuk pajtohen me politikën e kryetarit të Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Ibrahimi, madje tash e disa herë akuzohet nga klubi i Prishtina-F, se ai ka bërë disa shkelje dhe madje bordi i këtij asociacioni për falsifikim e dallavere. Është interesant se edhe sporti ka zërë të bëhet sikur partitë politike, sepse sa je pa pushtet, je njeri i mirë, por kohën kur bëhesh me pushtet,  fiton etiketime, i keq, i poshtër. Kështu do të ishte edhe për Abedin Ibrahimin i cili po atakohet pothuajse vazhdimisht me të drejtë apo pa të drejtë, ata që e godasin e dinë më së miri. E drejta në favor të kujt është, koha do ta vërtetojë!  

Pse e përdora shprehjen Abedini i poshtër, i keq, sepse në vendin tonë ndodhë shumë herë kur ke pushtet quhesh si i tillë, nuk përdoret argumenti dhe t’ia plasësh në sy. Megjithatë, klub i Prishtina F. ka afruar fakte sipas tyre, pa përdorë gjuhën e fyerjes, por duke dëshmuar disa foto se si janë shkelur rregulloret, sigurisht edhe ata do ta marrin një ditë një përgjigje të kënaqshme apo zhgënjyese, ajo është një çështje e brendshme e bordit të FVK-së. Por, Abedini atakohet edhe nga disa që nuk guxojnë të dalin me emra në sipërfaqe, por e sulmojnë indirekt. Pse Abedin Iberahimi ka një të mirë? Sipas një burimit brenda FVK-së, që nuk dëshiron të dalë me emër e me mbiemër, thotë se ajo që është në rregullore të federatës edhe zbatohet, i pëlqej apo jo dikujt dhe as Abedini e askush tjetër nuk guxon ta “shkel”!  Gjithnjë sipas tij, nuk mund të dalë askush nga rregullorja që parasheh, dhe për dikë je i keq e për dikë i mirë, e për dikë as i keq, as i poshtër po as i mirë. Por një fakt mos të harrojmë, Abedin Ibrahimi, nuk ka ardhur si parashutist në federatë, të gjitha klubet e njohin si trajner. Në kohën e okupimit, Abedin Ibrahimi, pas tregut në qytetin e Ferizajt, më kujtohet si sot, punonte me shumë të reja dhe formonte volejbolliste, në një livadh i thënçin livadh apo një farë fushe që kishte përreth ujëra të zeza, mbi të gjitha sfidonte regjimin e Serbisë. Edhe në ato kushte e rrethana të mjerueshme e të përndjekur nga regjimi shovenist serb, Abedini, jo vetëm ai, por edhe gjithë kolegët që disa i ka përkrahës e disa kundër, në qendrat e ndryshme të Kosovës, punonin dhe vetëm punoni! Ai atëkohë ka udhëhequr Kastriotin e Ferizajt dhe garonte në garat e Republikës së Kosovës, pra në kohën e okupimit, madje dihet  se ka dhënë shumë mjete nga xhepi i tij. Abedini me shumë shokë, ndoshta edhe ata që e akuzojnë kontribuuan goxha mirë në kohën e okupimit, sakrifikuan për të mbajtur gjallë këtë sport. E dyta, Abedini në kohën e pasluftës, nëse të gjithë kanë harruar, ishte i pari që ka prurë klubet shqiptare të volejbollit, siç ishte Teuta nga Durrësi, Partizani i Tiranës, Studenti etj. madje salla kishte deri 2 mijë shikues në ato turnetë në Ferizaj.  Nëse Abedini ka njëqind të këqija ka edhe disa të mira, sepse askush nuk mund t’i thotë se nuk ke dhënë për këtë sport, askush nuk mund t’i thotë pse nuk kontribuove në kohën e okupimit.

Është interesant në sportin e volejbollit, sa e mbaj mend gjithmonë ka pasur luftëra me bërryla, asnjë kryetar nuk iu ka pëlqyer, as i përshtatshëm nuk ka qenë, dhe të gjithë në një farë forme u akuzuan kush më shumë e kush më pak, bile edhe ai që vjen pas Abedini e ka të njëjtën monedhë. Që nga Fejzullah Ademi, Zenun Pajaziti, Musa Selimi, Abedin Ibrahimi, që ishin kryetar federate, Abedini është edhe sot, janë kritikuar. Prandaj, në shumë sporte tjera në vend më shumë merren ndërmjet vete, se sa i japin zor për të bërë diçka të mirë. Volejbolli shkaku i inateve ka mbetur me cilësi shumë larg, sepse erdh kush erdh, prapë je i keq, akuzohesh vend e pavend.  

Edhe sporti është bërë si politika,  sepse mund të ndodhë ata që të akuzojnë fortë, nesër janë pjesë e ekipit tënd në Federatë. Lutem mos të jetë kështu!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat