Një shqiptar kalon në kampionatin gjerman

Volejboll

Një shqiptar kalon në kampionatin gjerman

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 16:45
Anton Qafarena gjatë një ndeshje

Ashtu sikurse ishte përfolur disa muaj më parë, volejbollisti shkodran Anton Qafarena do të luajë në Bundesligën gjermane të volejbollit sezonin tjetër, me skuadrën e “TV Ingersoll Buhl”. Marrëveshja mes palëve u arrit që në fillim të këtij viti, por u ra dakord që transferimi të kryhej pas përfundimit të sezonit. Zyrtarizimi është bërë pas përfundimit të eliminatoreve të Ligës së Europës, ku Qafarena luajti me fanellën kuqezi, duke qenë një nga lojtarët më të mirë. Më pas, shkodrani ishte edhe me Kombëtaren U-20, që u shpall nënkampione e Ballkanit në këtë grupmoshë.
Ky është një rast i artë për Qafarenën që do të ketë mundësi të stërvitet e luajë në një kampionat shumë të fortë, ku ka mundësi të rritet edhe më shumë profesionalisht. Sezonin e fundit, ai u shpall kampion i vendit me Vllazninë, arritja e tij më ë madhe. “Për mua, ky transferim është një mundësi e shkëlqyer, pasi do të luaj në Byhl për vitet në vijim. Do të dëshiroja që të rritesha profesionalisht në këtë skuadër dhe të merrja gjithnjë e më shumë përgjegjësi, duke ndihmuar më pas edhe kombëtaren”, u shpreh Qafarena, raporton FSHV.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat