Eurovolej, mbyllet faza e grupeve

Volejboll

Eurovolej, mbyllet faza e grupeve

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 07:57
Eurovolej

Azerbajxhani mundi 3-1 Gjermaninë në ndeshjen e fundit të fazës së parë të kampionatit evropian të volejbollit për femra, duke siguruar vendin e parë në Grupin A. Në Baku, në “Arenën Kombëtare të Gjimnastikës” përpara 3.400 spektatorëve kjo përballje ishte përcaktuese për fatin e grupit, si dhe për ecurinë e mëtejshme të këtyre dy skuadrave, gjithsesi për hir të së vërtetës detyra e ekipit azer ishte shumë më e thjeshtë, pasi për të garantuar vendin e parë në Grupin A përfaqësueses së drejtuar nga Faig Garayev i mjaftonte thjesht fitimi i dy seteve. Gjermania që kishte fituar 3-0 edhe dy përballjet e fundit ndërmjet tyre e filloi mirë takimin, duke fituar setin hapës 25-19, megjithatë nën përkrahjen e zjarrtë të tifozerisë skuadra vendase u kundërpërgjigj menjëherë duke fituar setin e dytë, me po të njëjtat shifra. Në një situatë të tillë ekipit të Felix Kosloëski-t i nevojitej patjetër fitorja 3-1, sidoqoftë në vazhdim skuadra gjermane vuajti mungesën e eksperiencës si dhe shtatlartësinë e përfaqësueses azere, që e udhëhequr nga lojtare të tilla si Natalya Mammadova, Yelyzaveta Samadova dhe Polina Rahimova mbylli gjithë takimin duke fituar me 18 edhe dy setet e fundit të ndeshjes. Pikëshënuesja më e mirë e takimit ishte 23-vjecarja Louisa Lippmann me 26 pikë gjithsesi pas kësaj disfate Gjermania e mbylli Grupin A në vendin e tretë, në kuotën e 4 pikëve, me një pikë më pak sesa Polonia.

Gjermania konsiderohet si forca e dytë në “Kontinentin e Vjetër”, madje ekipi teuton ka qenë në finale në 2 nga 3 edicionet e fundit të EuroVolley-t për femra, megjithatë për të kaluar mes tetë skuadrave më të mira ekipi i Kosloëski-t duhet të mundë të mërkurën Bullgarinë në fazën play off. Ndërkaq falë vendit të parë Azerbajxhani do të rikthehet për të luajtur të premten e ardhshme, kur do të ndeshet pikërisht me fituesen e ciftit Gjermani – Bullgari. Bashkë me volejbollistet azere u kualifikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë për në fazën cerekfinale gjithashtu edhe kampionet në fuqi, me Rusinë që përmbysi disavantazhin 2-1 me sete ndaj Bullgarisë. Përfaqësuesja ballkanase e interpretoi takimin në mënyrë të shkëlqyer, sidoqoftë ekipi i Vladimir Kuziutkin fitoi tie break-un përcaktues me shifrat 15-13, duke mbrojtur kështu vendin e parë në Grupin C, grup ku përvec këtyre dy ekipeve u kualifikua gjithashtu edhe Tuqia, që fitoi 3-1 takimin direkt me Ukrainën. Ekipi i Giovanni Guidetti-t do të masë forcat ditën e mërkurë në play off me Poloninë, ndërkaq Rusia do të ndeshet ditën e premte pikërisht me skuadrën fituese të këtij cifti. Ndeshjet e fazës së knock out-it do të fillojnë të martën me dy takimet e play off-it: Bjellorusi – Republikë Ceke dhe Holandë – Kroaci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat