Boricic shpreh mbështetjen e tij të pakufizuar karshi FSHV-së

Volejboll

Boricic shpreh mbështetjen e tij të pakufizuar karshi FSHV-së

Më: 6 tetor 2017 Në ora: 16:06
Pamje nga një ndeshje

Pas përfundimit të Kampionatit Europian të volejbollit për femra, Federata Europiane e Volejbollit (CEV) hedh sytë nga eventet e ardhshme dhe në fokusin e saj mbetet Kampionati Europian U-19 i volejbollit për vajza, aktivitet që vitin tjetër do të organizohet në vendin tonë. CEV është gjithnjë një partnere e rëndësishme e Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), na inkurajon e motivon në cdo event që organizojmë duke na përkrahur e nxitur për të punuar më shumë në të ardhmen.
Kjo konfirmohet edhe në letrën e fundit që Presidenti i CEV, z.Aleksandar Boricic, i ka dërguar Presidentit të FSHV-së, z.Erlind Pëllumbi, duke e përgëzuar për punën e mirë që po bëhet në Shqipëri në organizimin e eventeve të ndryshme ndërkombëtare, si në volejbollin e sallës ashtu dhe atë të plazhit.
Jo vetëm kaq, por z.Boricic shpreh mbështetjen e tij të pakufizuar karshi FSHV-së, së cilës vitin tjetër i është besuar organizimi i finaleve të Kampionatit Europian U-19 për vajza, një besim që tregon se volejbolli shqiptar është në rrugën e duhur të zhvillimit dhe promovimit të tij. Ky event i rëndësishëm ndërkombëtar që do të zhvillohet vitin tjetër në Shqipëri është i pari i këtij lloji që organizohet në vendin tonë.
Ndaj për FSHV-në, besimi që ka CEV, është një shpërblim i punës së madhe që është kryer si dhe një sfidë për familjen shqiptare të volejbollit në organizimin e këtyre eventeve të rëndësishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat