Sava Thaka: Të investohet te grupmoshat - Bota Sot
Sava Thaka: Të investohet te grupmoshat

Volejboll

E martë, 12 dhjetor 2017

Sava Thaka: Të investohet te grupmoshat

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 18:33
Sava Thaka: Të investohet te grupmoshat

Volejbollistja shqiptare që luan në Sllovaki, bën thirrje që në Shqipëri të investohet shumë te grupmoshat e vogla në këtë sport. Sukseset e 25-vjeçares dhe dëshira që në fundin e karrierësn të luajë me ndonjë skuadër shqiptare

Volejbollistja Sava Thaka, për “Shekulli”-n bën thirrje që në Shqipëri të investohet shumë te grupmoshat e vogla në këtë sport. 25-vjeçarja, aktualisht luan në Sllovaki me skuadrën BK97STOVA. Eksperiencat e saj kanë qenë nga më të ndryshmet në arenën ndërkombëtare. Thaka thotë se Shqipëria ka shanse reale të arrijë suksese në garat e ndryshme evropiane dhe botërore.

Si po ecën ky sezon në klubin BK97STOVA?

Ky sezon është në rrugën e duhur. Kemi arritur rezultate të mira si individuale ashtu dhe me ekipin.

Cilat janë objektivat e skuadrës dhe të tuat personale?

Kjo skuadër është bazuar tek lojtaret e reja si në moshë ashtu dhe në eksperiencë. Mbas dy viteve rimarrim pjesë prapë në ekstra ligë (niveli më i lartë i volejbollit në Sllovaki) dhe objektivat janë të futemi në renditje në 6 ekipet e para. Momentalisht jemi në vend të shtatë, por besoj se do arrijmë dhe më lart. Objektivat personale janë që të bëj më të mirën time të mundshme, të zhvilloj ndeshje sa më të mira, duke qenë se jam dhe lojtarja më me eksperiencë e ekipit. Në disa ndeshje kam qenë pikëshënuesja më e mirë e ekipit.

Sa e vështirë ishte të bënit karrierë në këtë sport?

Sportin e kam nisur para 10 vitesh. Shtysë kanë qenë prindërit e mi. Duke qenë se mami im ka luajtur vetë basketboll, por unë personalisht pëlqeja volejbollin. Besoj se kam zgjedhur atë që e pëlqeja më shumë.

Si ndodhi ftesa për të luajtur për kombëtaren shqiptare të volejbollit?

Pjesëmarrja në kombëtare është një privilegj shumë i madh. Jo vetëm për mua, por besoj për çdo lojtar. Është një  përgjegjësi shumë e madhe pasi nuk përfaqëson thjesht një klub, por përfaqëson flamurin dhe kombin tënd. Unë kam qenë e aktivizuar gjatë gjithë karrierës time. Duke filluar nga grupmoshat, paratërejat, të rejat dhe me kombëtaren bazë. Ftesa erdhi pas shumë sakrificave nga ana ime.

Objektivat e kombëtares shqiptare?

Objektivat janë që të bëj një paraqitje sa më të mirë dhe dinjitoze dhe pse jo kualifikimin në aktivitete të ndryshme që kombëtarja merr pjesë. Besoj që jemi në rrugë të mirë. Këto vitet e fundit po punohet shumë dhe me seriozitet nga federata dhe trajnerët për të rritur nivelin e kombëtares.

Sa janë premisat që ky sport të zhvillohet shumë edhe në Shqipëri?

Ka premisa edhe pse pak me hapa të ngadaltë, vërehen ndryshimet.  Zhvillimi i sportit duhet që tek shkollat fillore dhe tek grupmoshat e vogla. Duhet një punë e madhe me këto grupmosha pasi ato do të jenë e ardhmja e këtij sporti.

Diferencat mes volejbollit në Sllovaki dhe Shqipëri. Ku duhet të përmirësohemi?

Ashtu siç e thashë dhe më lart, duhet të fokusohemi tek grupmoshat e vogla. Këtu në Sllovaki vërej që punohet shumë me moshat e reja. Momentalisht ekipet po i japin një rëndësi shumë të madhe. Besoj pas disa vitesh kampionati dhe niveli i volejbollit do të rritet shumë.

Keni menduar të ktheheni në Shqipëri për të luajtur?

Po e kam menduar. Do dëshiroja që vitin e fundit të karrierës time ta luaja në vendin tim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test