Asllanaj: Duhet kujdes ndaj grup-moshave të reja

Volejboll

Asllanaj: Duhet kujdes ndaj grup-moshave të reja

Nga: Kemajl Goca Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 19:12
KV Prishtina Volley F.

Në sportin skofiar punohet me zell të shtuar me grup-moshat e reja, të cilat vlerësohen si një bazë e mirë për të ardhmen. Në klubin kryeqytetase,  Prishtina Volley F. i kushtohet rëndësi grup-moshave të reja dhe kërkohet gjithnjë e më shumë talente të këtij sporti. Prishtina Volley F. për U-14 dhe U-16 ka shënuar rezultate të lakmueshme në dy gara që u mbajtën ditë më parë, e cila është një frymëzim edhe më shumë për vashat e talentuara që t’i rreken punës edhe më me vrull. Fakti tjetër interesant, me njomake punon trajnerja Drenusha Asllanaj, e cila nuk ka më shumë se 23 vjet dhe është aktive si lojtare. Sepse qëllimi i klubit është t’i jepet hapësirë trajnereve të reja që të tregojnë vlerat e tyre.

Drenusha tha se të punosh me njomake është një punë e vështirë.  “Të punosh me fëmijë është një punë jashtëzakonisht e vështirë, pasi që duhet pasur shumë kujdes, sepse ata marrin hapat e parë dhe duhet punuar me kujdes të shtuar. Mirëpo, ndoshta unë edhe që jam lojtare aktive, kam gjërat e njohura, dhe po mundohem maksimalisht, ato njohuri që i kam, dhe që po fitoj, ti shprehi të vajzat”, thotë Drenusha për gazetën kombëtare “Bota sot”. Me U-14 e para në një turne, dhe e dyta me U-16, sukses i papritur? “Po, me U-14 kemi zënë vendin e parë në rajon të Prishtinës, ndërsa me U-16 vendin e dytë, nuk ka qenë e papritur për mua, duke parë ecurinë e vajzave të mia, të cilat çdo ditë e më shumë po përparojnë, duke pasur parasysh që 4 muaj është hapur shkolla”, thotë ajo.

Drenusha bëri me dije se interesimi për t’u marrë me këtë sport pa dyshim se është i madh dhe kjo e motivon edhe më shumë që t’i qaset punës me vëllim të shtuar. “Tani besoj që në pranverë do të vazhdojë pjesa tjetër e lojërave dhe të shikojmë qysh është gjendja e ekipeve tjera. Shoh që fëmijët janë shumë të interesuar për sportin e bukur të volejbollit, shoh edhe prindërit të interesuar, të cilët vijnë në stërvitje t’i shikojnë fëmijët e tyre”, ka thënë Asllanaj. Sa jeni e kënaqur me kushtet? “Të them të drejtën, tani për dimër, kushtet për stërvitje aspak të mira, palestra pa nxehje, po kemi vështirësi t’i mbajmë stërvitjet, mirëpo duke pa dëshirën e vullnetin e vajzave po vazhdojmë”, ka thënë Asllanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat