Pëllumbi: 2017-ta një vit i mbarë

Volejboll

Pëllumbi: 2017-ta një vit i mbarë

Më: 28 dhjetor 2017 Në ora: 16:27
Erlind Pëllumbi

Viti 2017 për sportin e volejbollit ka qenë një ndër më të suksesshmit të viteve të fundit, kjo bazuar në rezultatet e arritura në fushë, që janë treguesi më i mirë i një pune të madhe të bërë nga të gjithë aktorët e sidomos nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, në një deklaratë për mediat ka bërë një përmbledhje të punës së bërë në 365 ditë:

“Ne nuk lodhemi, përkundrazi, e gjithë kjo punë e bërë na nxit e na motivon më shumë për të ardhmen. Për këtë arsye ne shtojmë impenjimet tona, pasi besojmë te puna jonë, te puna që bëjbë çdo ditë sportistet e trajnerët. Ne duam t’u japim atyre mundësi të ndihen sa më të vlersuar që të shpalosin më të mirën, ndaj kjo gjë nuk na lodh dhe nuk do të na lodhë asnjëherë. Kemi punuar me moton “jemi një ekip”, së bashku për zhvillimin e volejbollit shqiptar.

Kjo tregon se vetëm kur bashkëpunon me të gjithë, rezultaten jane evidente ndaj i mirëpresim dhe përkrahim të gjithë ata qe duan të kontribojnë, duke pretenduar të shkojmë në stade të tjera”. Këtë vit, volejbolli shqiptar arriti të tjera nivele, si në aktivitetet kombëtare ashtu dhe ato ndërkombëtare, në nivel profesionist dhe amator, në volejbollin e sallës dhe atë të plazhit. Pra, një punë e kryer në 360 gradë, duke mos u ndalur në asnjë moment dhe duke besuar te suksesi.

“Aktivitetet ndërkombëtare kanë qenë shumë emocionuese për ne dhe sportdashësit, pasi arritëm rezultate dhe iu afruam disa niveleve që i prisnim prej kohësh. Ndaj ndihemi krenar se kemi bërë një punë të mirë, të gjithë së bashku si një ekip. U shpallëm nën-kampionë Ballkani, morëm medalje në beachvolley, arritëm mjaft fitore me ekipet kombëtare senior dhe të të gjitha grupmoshave etj., shumë rezultate që na kanë emocionuar pa masë. Dhe për të arritur deri këtu është bërë shumë punë”, tha Pëllumbi, që shprehet se 2018-ta do të jetë një tjetër test për ekipet kombëtare.

“Do të kemi më shumë ndeshje me ekipet senior, pasi do të luajmë në Ligën e Europës, Lojërat Mesdhetare dhe eliminatoret e Kampionatit Europian, pse jo duke pretenduar kualifikimin. Edhe ekipet e moshave do të kenë turnetë e tyre rajonalë, madje edhe Europianë, siç janë finalet e Europianit U-19, që do të zhvillohen në Tiranë”, thotë kreu i FSHV-së. Për sa u përket risive një i tillë është aplikimi i “datavolley” dhe transmetimi “LIVE” i rezultateve të kampionatit, duke qenë sa më pranë dashamirësve të volejbollit. Volejbolli shqiptar po njeh një shtrirje të madhe dhe kjo gjë konfirmohet edhe nga edicioni i tretë i Ligës Amatore, që këtë vit regjistron numrin rekord të 20 ekipeve pjesëmarrëse. Çka tregon se dashamirësit e volebollit janë shtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat