Krasniqi: Në FVK ka nepotizëm, spastrime, sistem 'diktatorial', seleksionet kombëtare i kanë mbush me njerëz të afërt...

Volejboll

Krasniqi: Në FVK ka nepotizëm, spastrime, sistem 'diktatorial', seleksionet kombëtare i kanë mbush me njerëz të afërt...

Nga: Kemajl Goca Më: 23 korrik 2018 Në ora: 10:58
Naser Krasniqi

Trajneri i Prishtina Volley-t (femrat), Naser Krasniqi, shprehet kritikë për qasjen e punës që po bëhet. Ai për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka deklasuar se në Federatën e Volejbollit të Kosovës, ka nepozizëm! “Po përfundojnë gati aktivitetet e parapara nga FVK- ja në këtë vit sa i përket garave ndërkombëtare të ekipeve tona kombëtare.

Unë dhe shumë njerëz që janë gjatë në volejboll i kemi përcjell rezultatet e këtyre garave. Krahasuar me periudhën paraprake, pra vitin 2016 dhe vitin 2017 kur morën pjesë në kualifikimet më të rejat në Suedi U-18 dhe me meshkujt në Bullgari U-17, pastaj garat ballkanike vitin e kaluar që u mbajtën në Prishtinë me U-18 (vendi i 3-të) me meshkuj U-20 si dhe pjesëmarrja me femra dhe meshkuj në kualifikime për Kampionat Botëror, është një dallim i madh në mes atyre rezultateve vjet dhe këtë vit. Derisa vitin e kaluar pjesëmarrjen me ekipe seniorë meshkuj e femra e kemi quajtur moment historik sepse për herë të parë morën pjesë në këto gara edhe pse pa asnjë rezultat pozitiv, prapë ishte një seriozitet dhe një motiv i madh që të bëhet më shumë, kurse këtë vit në garat evropiane në ‘Silver League’ në dy konkurrencat kemi qenë më të dobët se vitin e kaluar.

Sa i përket ekipeve të moshave të reja U - 17 të vajzat tash në Kampionatin Ballkanik në Gjakovë dhe garat e njëjta në Bjelinë të Bosnjës me U -20, mendoj se nuk mund të themi se është arritur diçka më mirë se vitin e kaluar, bile mund lirisht të them se shumë më dobët se vitin e kaluar dhe pa asnjë fitore në asnjë garë. Krejt ky rezultat negativ në të gjitha konkurrencat dhe në të gjitha aktivitetet që kemi marrë pjesë nuk arsyetohet me asnjë fakt. Për herë të parë prej se jemi pranuar si federatë në CEV dhe në FIVB ne nuk e kemi pas problem aspektin financiar. FVK-ja ka pas mundësi që të bëjë përgatitjet adekuate të ekipeve kombëtare, ka pas mundësi ta studioj mirë se në cilat gara kemi mundësi dhe kualitet të ekipeve që të marrim pjesë, ka pas mundësi shumë më të madhe me bë përzgjedhjen e seleksionuesve, trajnerëve dhe tërë atyre që e meritojnë dhe janë dëshmuar se munden të jenë më të suksesshëm në këtë punë”, tha Krasniqi.

Ku është faji i mossuksesit të trajnerët apo federata ose mos puna në klube? “Së pari është dashtë Këshilli Profesional të bëjë plan-programin se në cilat gara kemi gjasa dhe mundësi më reale të jemi prezent, të ju jepet rëndësi me tepër garave në çdo nivel moshe si me meshkuj ashtu edhe me femra që të marrim pjesë dhe të përqendrohemi me tepër në këto grupmosha dhe të marrim pjesë në çdo garë ballkanike. Pse ballkanike? Sepse shpenzimet janë më të vogla për shkak afërsisë me këto shtete dhe arsye tjetër është se shtetet ballkanike kanë volejboll cilësor. Fajtorë kryesor është kryetari i federatë, Ibrahimi! Pas kuvendit të fundit ka filluar spastrimin e të gjithë atyre personave që nuk ia kanë dhëne votën ose atyre që nuk mendojnë njëjtë si ai. Në këtë mënyrë tërë seleksionet kombëtare i ka mbush me njerëz që janë të afërt me të dhe me ata ja kanë dhënë votën. I gjithë ky mossukses i tërë, ky debakël në të gjitha garat është rezultat i asaj se me këto seleksione po udhëheqin njerëz që kurrë nuk kanë pas rezultate e as aftësi për me udhëheq kombëtare, me disa përjashtime sepse ka aty njerëz që edhe janë me meritë.

Po në tërësi po shihet se z. Ibrahimi e ka zgjedh rrugën e inateve personale e bojkotimit të gjithë atyre që nuk janë në vijë me të dhe nuk janë të mendimeve të njëjtë me të që nuk janë servil. Në këtë mënyrë ju ka dhënë rastin si në komisione si në këshill profesional (i cili ekziston vetëm në letër) i cili këshill ishte dashtë të jetë koka e volejbollit e cila nuk ka kurrfarë kompetence dhe përbëhet me njerëz që nuk janë moti aktiv në volejboll.

Sot në këtë federatë kemi nepotizëm, kemi njerëz që kanë një e dy e tri poste, janë në dy-tri komisione të përfaqësuar. Krejt kjo bëhet për të plotësuar premtimet e kreut të federatës z. Ibrahimit dhënë të gjithë atyre që e kanë mbështet në kuvendin e fundit kurse ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë sot nuk kanë asnjë post në federatë. Thjesht kryetari aktual ka lansuar një sistem ‘Diktatorial’, në FVK-ën duke linçuar të gjithë ata që nuk janë në vijë ashtu siç e don kryetari. Nepotizmi i lansuar nga ky kryetar është prezent në federatë. Buxheti i FVK-ës për këtë vit është 212 mijë euro, buxheti me i lart që ndonjëherë e ka pas kjo federatë dhe ky buxhet sot me 30 % të tij harxhohet për gara të beachvolejt në vende të Evropës, duke shërbyer me tepër si shëtitje dhe pa asnjë rezultat të vetëm.

Të gjitha këto lëshime, të gjitha këto veprime tendencioze dhe veprime inatore e kanë pru situatën të tillë që sot në asnjë kompeticion mos të kemi asnjë rezultat pozitiv dhe asnjë fitore. Dikush duhet të jep llogari për këtë mossukses, për të gjitha këto shpenzime të pakontrolluara, të paarsyeshme, tek e fundit këto para janë para publike, janë para të gjithë neve që jem taksapagues të këtij shteti, andaj edhe do të jemi këmbëngulës në kërkim të llogaridhënies.

Nuk jam i kënaqur që është kjo situatë e tillë në volejboll. Unë këtij sporti i shërbej që 40 vite të jetës sime, andaj unë dëshiroj dhe do të mundohem të kontribuoj që të kemi një situatë ndryshe dhe më të mirë në aspektin organizativ dhe me rezultate, por në këtë situatë ky kontribut jo veç i imi po i shumë të tjerëve që sot nuk kanë mundësi të jen pjesë aktive e këtij grupacioni është i pamundur. Mbesim me shpresë që gjërat të jenë më mirë vitet e tjera”, përfundon Krasniqi.

Nga Federata e Volejbollit e Kosovës nuk kanë dashur të merren me Naser Krasniqin, ish drejtor i kombëtareve për të gjitha grupmoshat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat