Xhemajli: Prishtina F. do t’ua prishë planet shumë ekipeve

Volejboll

Xhemajli: Prishtina F. do t’ua prishë planet shumë ekipeve

Nga: Kemajl Goca Më: 24 korrik 2018 Në ora: 12:27
Nita Bekteshi, Donika Xhemaili me Kupë, drejtor i klubit Mehdi Mehmeti dhe Vjosana Hoda

Në volejbollin femëror pa dyshim se do të jetë më interesant me rikthimin e Prishtina F. në Superligën e Kosovës.  Klubi prishtinas, që drejtohet nga femrat, si presidente e klubit Halime Fetahu, kryetrajnere Ganimete Gërbovci (ish reprezuntuese), ndihmëstrajnere dhe lojtare Donika Xhemaili, synojnë të jenë shembull për të gjitha klubet tjera se si luftohet për ngjyrat e ekipit dhe si fitohen pikët! 

Donika është një punëtore e madhe, me rol të dyfishtë: lojtare dhe ndihmëstrajnere, mendon se me punë dhe angazhim do të arrijnë suksese. “Mobilizimi i gjithë stafit të ekipit, si dhe atmosfera e mirë që mbretëron brenda ekipit dhe punës që është duke u bërë, mendojmë që Prishtina F. do të befasojë dhe do t’ua prishë planet shumë ekipeve”, thotë Donika për gazetën kombëtare “Bota sot”. Sa është vështirë të punohet në një mjedis me shumë lojtare të reja e të talentuar?

“Është e vërtetë se është më e vështirë të punohet sepse jo të gjithë e dijnë dhe e besojnë qëllimin pozitiv të udhëheqjes së klubit nga femrat, por ne jemi të kënaqura që ekipi ynë udhëhiqet nga femrat. Sepse duke pasur parasysh se edhe presidentja e ekipit edhe trajnerja kanë qenë vetë lojtare dhe e dijne se çfarë kushtesh duhet me pasur në një ekip femrash dhe ne aspak nuk dyshojmë në punën e tyre. Përveç kësaj përparësia tjetër e kësaj është se raporti mes lojtareve dhe trajneres është shumë më i afërt për shkak të gjinisë së njëjtë”, thotë volejbollistja. 

Të jesh edhe ndihmëstrajnere sipas Donikës është një përgjegjësi: “Është një përgjegjësi shtesë puna e ndihmëstrajneres, por duke pasur parasysh që unë studioj në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, e bëj më shumë dëshirë sepse kjo është plotësisht në favor timin, për shkak se unë e ushtroj profesionin tim dhe për këtë duhet falënderuar gjithë kryesinë e klubit dhe lojtaret të cilat kanë bashkëpunim të mirë me mua”. Synimi i Prishtinës është që të jenë sa më të forta për secilën rivale. “Synimi ynë është që të kthehemi me të fortë se në vitet e fundit, të mos luftojmë për mbijetesë në Superligën e Kosovës dhe të ju tregojmë me punë të gjithëve që pavarësisht padrejtësive që na bëhen nga rrethanat, ne nuk e meritojmë të jemi aty ku kemi qenë”, ka thënë Donika.

 Ajo më tutje mburret që kanë në ekip lojtare të reja, por mendon se i duhet edhe mbështetje financiare. “Është e vërtetë që klubi ynë dominohet me lojtare të reja dhe kështu duhet të jetë në çdo ekip sepse ndryshe nuk do të dihet asnjëherë se në çfarë niveli ka arritur volejbolli i Kosovës, duke mos pasur hapësirë lojtaret e reja vendore.  

Si çdo ekip tjetër edhe ekipit tonë i duhet shumë punë, gjë të cilën veç jemi duke e bërë, si dhe mbështetja financiare nga institucionet e shtetit, komuna dhe pa dyshim nga Federata e Volejbollit të Kosovës”, shprehet Donika. A ka forcë Prishtina F. që ta sfidojë Dritën, Skenderajn, Kastriotin dhe Prishtina Volley? “Duke pasur parasysh fondin e lojtareve që e kemi  dhe me pak përforcime, nuk është e pamundur që të sfidohen këto ekipe”, tha me optimizëm Donika.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat