Kadriu: Skenderaj do të jetë edhe më i fortë

Volejboll

Kadriu: Skenderaj do të jetë edhe më i fortë

Nga: Kemajl Goca Më: 15 gusht 2018 Në ora: 19:33
Yll Kadriu

Skenderaj mëton të luftojë për titull dhe Kupën e Kosovës në volejboll, në konkurrencën e femrave. Në krahasim me edicionin e kaluar, Skenderaj është më i përforcuar dhe më i frikshëm për rivalet. Kryetrajneri i Skenderajt, Ylli Kadriu, ka deklaruar se ka një ekip mjaft të mirë dhe me potencial për të luftuar për trofe. Ai krahas Skenderajt, dy eventualisht tri ekipe i vlerëson si rivale të denjë. Synimi i tij është që ta përgatis ekipin sa më mirë për edicionin e ri, duke mos përjashtuar mundësinë që të përforcohet edhe me një lojtare cilësore.

“Bota sot”: Skenderaj po përforcohet, pritet të jetë më i fortë se në edicionin e kaluar?

Yll Kadriu: Po, ne kemi bërë një lëvizje shumë të rëndësishme dhe cilësore në skuadrën tonë dhe kjo na bënë më të fortë, por unë mendoj që ajo çka na veçon këtë vit është edhe përvoja e vajzave të reja, të cilat tani më kanë eksperiencë në ndeshje të mëdha dhe në finale. Me një fjalë janë më të pjekura dhe mund ta shfaqin talentin më shumë.

“Bota sot”: Drita, Kastrioti apo edhe ndonjë ekip tjetër, mund t’i shihni si rivale e fortë i Skenderajt në luftë për titull?

Yll Kadriu: Drita, Kastrioti, por edhe Prishtina Volley do të jenë përsëri kundërshtarët më të fortë në bazë të potencialit që kanë, por nuk duhet përjashtuar as ekipet tjera të cilat kanë bërë disa lëvizje në këtë afat kalimtar. Mendoj që është pak herët të vlerësojmë në mënyrën më të mirë sepse përbërjet në skuadra mund të ndryshojnë.

“Bota sot”: Ku mendoni se duhet plotësuar në reparte Skenderaj?

Yll Kadriu: Skenderaj është i kompletuar në të gjitha repartet, por ndoshta çka duhet është edhe një lojtare me eksperiencë që të jetë për ndeshjet finale dhe ta rris akoma më shumë konkurrencën e skuadrës, për momentin pothuajse kemi nga dy lojtare për një pozicion dhe kjo na bën më të fortë.

“Bota sot”: Me kushte si qëndron Skenderaj?

Yll Kadriu: Me kushte nuk jemi keq, fal dy donatorëve që i kemi shumë serioz, “Grunori” dhe Qendra Tregtare “Arjeta”, por jemi duke shpresuar që edhe disa donatorë të na bashkohen dhe të jemi akoma më të fortë.

“Bota sot”: A po rritet niveli i lojës në ligë?

Yll Kadriu: Po, besoj që niveli duhet të jetë më i fortë, duke parë që disa skuadra kanë bërë disa ndryshime, e disa pritet të ndryshojnë në ditët në vijim, por ndoshta edhe forma e garave do të ndryshoj në këtë sezon, çka do ta bëj më të veçantë dhe më cilësor. Dhe çka është më e mira, vajzat e reja të talentuara po kanë mundësi ta shfaqin cilësinë e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat