Kuka: Majlinda do të kursehet, beson në paraqitje të mirë në Sofje

Xhudo

Kuka: Majlinda do të kursehet, beson në paraqitje të mirë në Sofje

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 31 janar 2017 Në ora: 10:47
Driton Kuka, Majlinda Kelmendi e Agron Kuka

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha për gazetën kombëtare "Bota sot" se është testi i parë serioz në Sofje, ku mbahet (4-5 shkurt) gara ‘European Open’ – Kupa Botërore. “Në fundjavë është gara e parë qe Federata jonë ka vendosur të marrë pjesë, fjala është për Kupën botërore që mbahet në Sofje të Bullgarisë! Është testi i parë serioz për Nora Gjakovën pas lëndimit, pjesëmarrës do të jenë përveç Norës edhe Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Fjolla Kelmendi. Majlinda do të kursehet nga kjo garë pasi që do të jetë pjesëmarrëse javën tjetër në Grand Slamin e Parisit, gara më prestigjioze gjatë vitit në xhudo. Unë besoj në paraqitje të mirë të garuesve tona në Sofje pa përjashtim dhe shpresoj që do të kthehemi së paku me dy medalje”, thotë Agroni. Pas kësaj gare vjen ajo e Grand Slamit në Paris, a mendoni se xhudoja do të nis furishëm si gjithmonë?

“Sigurisht që ne kur shkojmë në ndonjë garë shkojmë maksimalisht të përgatitur dhe besojmë në shpërblimin e punës që bëhet në ekip, duke filluar nga trajneri dhe garuesit! Vetëm uroj që të kemi fat sportiv dhe gjithçka të rrjedhë sipas planit”, ka thënë ai. Xhudistet e xhudistët tanë një kohë janë përgatitur në Slloveni, pastaj në Austri, të cilët kanë mbushur bateritë dhe janë të gatshëm për çdo betejë. A mendoni se xhudistet e xhudistët janë në formën më të mirë dhe a do të shpërthejë ndonjë talent?  “Me punën që po bëhet në vazhdimësi forma në përgjithësi është në ngritje po ashtu presim edhe nga të rinjtë që tani do të fillojnë të shfaqen në garat e mëdha, personalisht e kisha përmend një emër që premton, ajo është Loriana Kuka por jo vetëm!”, ka thënë Kuka. Në fakt, Kukajt në radhë të parë sytë i kanë nga Sofja, pastaj nga Parisi. Në të dy garat besojnë e shpresojnë se do të kthehen me suksese të mëdha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat