Xhudistet e kombëtares së Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, shkëlqyen në Sofje, duke i sjellë Kosovës dy medalje të bronzta nga ‘European Open’ – Kupa Botërore. Kosova u përfaqësua me katër garuese, por Loriana Kukajn (-70 kg) e Fjolla Kelmendin (-48) u eliminuan në rrethin e parë. Pas kësaj gare xhudistet tona i pret supersfida në Paris (me 11-12 shkurt), ku mbahet Grand Slam-i. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, vlerëson lartë dy medalje dhe sipas tij gara në Sofje ishte një test shumë i mirë për garën e radhës. “Është një test shumë i mirë për Grand Slamin e Parisit, si për Norën po ashtu edhe Distrian, pak a shumë këto garuese do të jenë pjesëmarrëse edhe në Paris.
Te dyja treguan formë të mirë por në Paris duhet të jenë me këmbëngulëse nëse duan medalje. Dihet qe Grand Slami në Paris mund të jetë i fortë aq sa Kampionati Botëror”, tha Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”. Kuka tha se duhet veçuar edhe pjesëmarrjen për herë të parë të Loriana Kukajt. “Gara e parë për ekipin e xhudos u kurorëzua me dy medalje, një paraqitje solide e garuesve tanë, duhet ta ceki pjesëmarrjen e Lorianës për herë të parë për Kosovën e cila pati një përformancë të mirë kundër japonezes me shpresë që herëve tjera të ketë më shumë fat! Përndryshe në përgjithësi i kënaqur dhe një paralajmërim së xhudoja këtë vit do të vazhdoj me suksese të radhës”, tha Kuka.