Bach shqetësohet për shëndetin e Majlinda Kelmendit - Bota Sot
Bach shqetësohet për shëndetin e Majlinda Kelmendit

Xhudo

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Bach shqetësohet për shëndetin e Majlinda Kelmendit

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 14:27
Bach e Majlinda

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka shfaqur interesim të madh për shëndetin e kampiones olimpike, xhudistes Majlinda Kelmendi.

I pari i sportit në botë, e ka shprehur brengën e tij gjatë takimit me anëtarët e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, Shqipe Bajçinca – Brestovci dhe Agron Kuka, si dhe zyrtaren e KOK-ut, .Rejhan Halili.

Takimi ka ndodhur në Vilnius të Lituanisë, ku po mbahet “Forumi i Evropës për Avancimin e Grave në Rolet Udhëheqëse” dhe në të cilin po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e KOK-ut.
Kuka, që njëherit është edhe kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, ka rrëfyer bisedën me Bach.
“Jam takuar edhe dy herë më parë me z.Bach dhe duke qenë edhe kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, u ndalë më shumë tek ne. Ai më pyeti për Majlinda Kelmendin, për të cilën nuk kishte qenë në dijeni për lëndimin dhe u befasua kur i tregova. Bach u shqetësua dhe u interesua duke më pyetur se ku është duke kryer rehabilitimin dhe nëse është në duar të sigurta”, tregon Kuka për faqen zyrtare të KOK-ut, “noc-kosovo.org”.
Pikërisht presidenti i KON-it ishte ai që ia kishte dorëzuar medaljen e artë Majlindës në Lojërat Olimpike “RIO 2016”. “Më porositi t’i bëjë të fala Majlindës dhe më tha se e ka përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”, shton më tej kryetari i FXHK-së.
Kelmendi u lëndua në botërorin e Budapestit, për çka u operua muajin e kaluar në Slloveni. Për rehabilitimin e saj në Slloveni, KOK-u e ka mbështetur me 4 mijë Euro.
Bach kishte bërë hapjen e këtij Forumi që u mbajt për dy ditë me radhë (10/11 tetor 2017), derisa paraprakisht kishte parakaluar nga të gjithë banerët e Komiteteve Olimpike. Ai ishte ndalur më gjatë tek baneri i Komitetit Olimpik të Kosovës, duke bërë edhe foto, për të treguar miqësinë e madhe që ka krijuar ndër vite me drejtuesit e KOK-ut. Kujtojmë që ai para dy vite vizitoi edhe Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test