Pas një pune më shumë se një muajshe të Komisionit për vlerësimin e kategorizimit të sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës kanë publikuar të mërkurën kategoritë në të cilat janë përfshirë federatat, sportistët dhe trajnerët.
Kategorizimi i sporteve është ndarë në katër kategori, A, B, C dhe D. Në kategorinë A janë vendosur Federata e Xhudos e Kosovës dhe ajo e Karatesë nga sportet individuale dhe katër federatat ekipore (futbolli, hendbolli, basketbolli dhe volejbolli).
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se komisioni ka bërë punë të madhe në kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve dhe se pas një kohe të gjatë po përfundon një çështje që ka zgjatur me vite.
“Pas një periudhe të gjatë dhe pas një pune jashtëzakonisht të madhe që kanë bërë komisionet e ndryshme, disa prej të cilëve i takojnë edhe pjesëtareve të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës të përbërjes së kaluar, por që ka përfunduar para disa ditëve dhe sot do ta bëjmë prezantimin e këtyre kategorive dhe kjo rrjedh edhe si rezultat i kërkesës së Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, që këtë kategorizimin t’ia besoj pikërisht përfaqësuesve të KOK-ut si organizatë qendrore, kulmore dhe joqeveritare”, ka thënë presidenti Hasani, në konferencën për media.
Hasani theksoi se me kategorizimin e sporteve, Kosova po afrohet me vendet që e kanë të zhvilluar sportin.
Kryetari i Komisionit për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, Shasivar Haxhijaj, duke lavdëruar punën e komisionit, tha se kategorizimi është në fazën përfundimtare të saj.
“Sipas rregullores kategorizimi i sporteve bëhet në katër kategori. Në kategorinë A, sipas dokumentacioneve dhe kritereve që kanë ardhur në Komitetin Olimpik të Kosovës, komisioni e ka përcaktuar Federatën e Xhudos së Kosovës, e cila ka marrë 83.1 pikë, Federata e Futbollit të Kosovës 77.37, Federata e Karatesë së Kosovës e treta 70.79, Federata e Hendbollit të Kosovës 67.80, Federata e Basketbollit të Kosovës 66.90, Federata e Volejbollit të Kosovës 65.94, këto janë gjashtë federata që janë në kategorinë e parë”, tha Haxhijaj.
Shtatë federata tjera e përbëjnë kategorinë e dytë si: Atletika, boksi, noti, pingpongu, skitaria, tenisi dhe peshëngritja. Federatat tjera ndodhen në kategorinë C, kurse e vetmja në kategorinë D, është Federata e Minigolfit.
Haxhijaj më pas bëri të ditur edhe vlerësimin për sportistët, ku kampione në këtë kategori është Majlinda Kelmendi, me 100 pikë, për shkak të medaljes së artë olimpike. Nga xhudoja, renditjen e pasojnë edhe Distria Krasniqi (40 pikë), Nora Gjakova (40), Akil Gjakova (37.5), Loriana Kuka (20), Laura Fazlija (10), Shpat Zeka (10). Nga karateja është Herolind Nishevci me 60 pikë, kurse nga bodybuildingu vijnë Jetmir Goqi (35 pikë) dhe Gentiana Beqa (30 pikë).
Trajneri i xhudistëve, Driton Kuka, kampion olimpik, ka fituar 131.5 pikë, bazuar në sukseset e xhudistëve të lartëpërmendur. Në kategorizimin për trajnerë ndodhen edhe Shqipe Zogiani (30 pikë), trajnere e Herolind Nishevcit dhe Burim Ramiqi (17.5 pikë) e Dren Beqa (15 pikë), trajnerë të bodybuildingut.
Federatat tjera nuk janë vlerësuar për shkak të mos zhvillimit të aktiviteteve të tyre në vitin e kaluar, kurse disa për shkak të mos marrjes së licencës nga MKRS.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe Gazmend Maxhuni, anëtarë i Komisionit, derisa pjesë e Komisionit ishin edhe Agron Kuka, Shqipe Zogiani dhe Kushtrim Krasniqi.
Kategorizimi është bërë në bazë të Rregullores për kategorizimin e Sporteve, sportistëve dhe trajnerëve.
KATEGORIZIMI I SPORTEVE
Kategoria “A”
1. Federata e Xhudos e Kosovës 83.10 pikë
2. Federata e Futbollit e Kosovës 77.37 pikë
3. Federata e Karatesë e Kosovës 70.79 pike
4. Federata e Hendbollit e Kosovës 67.5 pikë
5. Federata e Basketbollit e Kosovës 66.9 pikë
6. Federata e Volejbollit e Kosovës 65.49 pikë
Kategoria “B”
7. Federata Atletike e Kosovës 56.74 pikë
8. Federata e Boksit e Kosovës 51.55 pikë
9. Federata e Notit e Kosovës 50.03 pikë
10. Federata e Pingpongut e Kosovës 47.99 pikë
11. Federata e Skitarisë e Kosovës 47.69 pikë
12. Federata e Tenisit e Kosovës 46.01 pikë
13. Federata e Peshëngritjes e Kosovës 45.1 pikë
Kategoria C
13. Federata e Shigjetarisë e Kosovës 44.55 pikë
14. Federata e Çiklizmit e Kosovës 44.4 pikë
15. Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës 43.66 pikë
16. Federata e Mundjes e Kosovës 41.9 pikë
17. Federata e Shahut e Kosovës 35.6 pikë
18. Federata e Boulingut e Kosovës 34.8 pikë
19. Federata e Bodybuldingut e Kosovës 34.55 pikë
20. Federata e Autosporteve e Kosovës 33.5 pikë
21. Federata e KickBoksit e Kosovës 32.2 pikë
22. Federata e Aeronautikes e Kosovës 28.2 pikë
Kategoria D
23. Federata e Minigolfit e Kosovës 16 pikë
Federatat që nuk janë vlerësuar
Federata e Taekwondosë e Kosovës, Federata e Pentatlonit Modern, Federata e Lundrimit, Federata e Kërlingut, Federata e Sportit Shkollor, Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, Federata e Bjeshkatarisë, Federata Sportive e Punëtorëve e Kosovës.
Kategorizimi i Sportistëve
Majlinda Kelmendi Sportiste e merituar 100 pikë
Distria Krasniqi, Sportiste ndërkombëtare 45 pikë
Nora Gjakova, Sportiste ndërkombëtare 40 pikë
Akil Gjakova, Sportist ndërkombëtare 37.5 pikë
Loriana Kuka, Sportiste ndërkombëtare 20 pikë
Laura Fazlia, Sportiste ndërkombëtare 10 pikë
Shpat Zeka, Sportist ndërkombëtare 10 pikë
Herolind Nishevci, Sportist botëror 60 pikë
Jetmir Goqi Sportist botëror 35 pikë
Gentiana Beqa Sportist botëror 30 pikë
Kategorizimi i trajnerëve
Driton Kuka, Trajner i xhudos 131.5 pikë
Shqipe Zogiani, Trajnere e karatesë 30 pikë
Burim Vraniqaj, Trajner i bodybuildingut 17.5 pikë
Dren Beqa, trajner i bodybuildingut 15 pikë