Dardani rrugës së babait ose ‘dardha pikë ndër dardhë’

Xhudo

Dardani rrugës së babait ose ‘dardha pikë ndër dardhë’

Nga: Kemajl Goca Më: 7 qershor 2018 Në ora: 19:34
Anton dhe Dardan Cena

Krenaria e sportit tonë, xhudistja Majlinda Kelmendi, kampione olimpike, është frymëzim për çdo sportist shqiptar sidomos për xhudistet e xhudistët e rinj. Xhudisti i talentuar Dardan Cena është duke jetuar me suksesin që arriti ditë më parë në Bihaç të Bosnjës, ku u stolis me medalje të argjendtë në Kampionatin Ballkanik për kadetë. Dardani është djali i ish xhudistit të mirënjohur, Antoni, aktualisht trajner në klubin e ‘Policit’ nga Prishtina. Dardani ushtron me zell në klubin ‘Polici’ dhe me synime të mëdha, që një ditë ta sigurojë normën për Lojërat Olimpike. Ai po shkon rrugës së babait të tij ose siç thonë në popull: “dardha pikë ndër dardhë”.   

“Bota sot”: Nënkampion i Ballkanit, a është një motiv shtesë për sfidat e ardhshme?

Dardan Cena: Po, sigurisht, duke marrë parasysh që vitin e kaluar kam zënë vendin e 3-të në Kampionatin Ballkanik për grupmoshën U-15 dhe tani vendin e 2-të për grupmoshën e kadetëve, që është rezultati më i mirë në karrierën time deri tani. Sigurisht që ky nuk është fundi i sfidave, prandaj unë do të vazhdoj me përkushtimin tim drejt rrugëtimit olimpik.

“Bota sot”: Cila është gara tjetër e radhës dhe shumë e vështirë?

Dardan Cena: Gara e radhës për mua është Kampionati Europian për kadetë që mbahet në Bosnje dhe Hercegovinë me 28.06.2018. Vështirësia kryesore në këtë garë është pjesëmarrja për herë të parë në këtë nivel si dhe viti im i parë në grupmoshën e kadetëve. Por, megjithatë kësaj here unë jam i gatshëm për sfidën e radhës, ku do të jap maksimumin tim.

“Bota sot”: Çfarë janë kushtet për punë, sa është vështirë të jesh xhudist në Kosovë?

Dardan Cena: Unë ushtroj në sallën e Klubit të Xhudos  “Polici” në Prishtinë dhe mund të them që salla i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e sportit të xhudos, por problemi kryesor është tek sparingu sepse në Prishtinë nuk ka garues të kategorisë time.

“Bota sot”: A mungon konkurrenca në Kosovë, në kategorinë tuaj?

Dardan Cena: Po, për momentin nuk kam konkurrencë në kategorinë time në Kosovë.

“Bota sot”: Cilat janë synimet gjatë këtij viti?

Dardan Cena:  Marrja e medaljes në Kampionatin Ballkanik ka qenë një nga synimet e këtij viti, meqë “verës” garat janë me të rralla tani është koha më e mirë për t’iu përkushtuar stërvitjeve dhe ushtrimeve të forcës në maksimum. Gjithashtu duke e marrë parasysh që të qenurit sportist nuk është e lehtë, unë si xhudist duhet të jem gjithmonë nën një plan të caktuar ditor, duke ndarë kohën në mënyrë që të ndjek edhe mësimet edhe ushtrimet rregullisht. Disciplina është çelësi i suksesit, prandaj unë do të përkushtohem edhe më shumë gjatë këtij viti.

“Bota sot”: Cili është më i merituari për këto sukseset e deritashme dhe përkrahjen e kujt e keni?

Dardan Cena: Meqë babai im (Anton Cena) merret me xhudo që nga mosha rinore dhe njeherit është edhe trajneri, meritat për këto suksese i takojnë atij. Sa i përket përkrahjes, mund të them se kam mbështetje të plotë duke filluar nga familja, anëtarët e klubit e deri tek trajneri i kombëtares së xhudos së Kosovës, Driton Kuka.

“Bota sot”: A shpresoni së do të jeni në garat e Kampionatit Evropian e Botëror, në një të ardhme të afërt?

Dardan Cena: Sigurisht, synimi i çdo xhudisti është marrja e të gjitha medaljeve të mundshme deri tek medalja olimpike. Duke e marrë parasysh që në Kosovë sporti i xhudos është mjaft i përkrahur dhe duke u zhvilluar, mund të them se jam në pozitë të përshtatshme për arritjen e këtyre rezultateve në një të ardhme të afër, por për të arritur deri tek ajo pikë më duhet të zhvendosem në Pejë dhe të vazhdoj stërvitjet e mëtutjeshme tek trajneri më i mirë në botë, Driton Kuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat