OSBE-ja nuk ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve në veri, vendos KQZ-ja

Zgjedhjet 2013

OSBE-ja nuk ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve në veri, vendos KQZ-ja

Më: 4 nëntor 2013 Në ora: 01:31

KQZ-ja do të vendose për fatin e votimeve në veri të Kosovës dhe për këtë duhet kohë deri në analizimin e procesit, ka thënë ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger të dielën, gjysmë ore para mesnatës, në një konferencë të organizuar në Mitrovicë.

Sipas tij, OSBE-ja nuk ka kërkuar që të anulohen zgjedhjet në veri. “Ne jemi keqkuptuar, OSBE-ja ka kërkuar nga KQZ-ja që të na lejojë, për shkak të situatës, që t’i mbyllim qendrat e votimit në tri komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”.

Ambasadori më tej ka shtuar se OSBE-ja të dielën ishte e përfshirë në organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë me përjashtim të njërit, që për shkaqe teknike është hapur më vonë. “Gjithçka ka shkuar mirë deri në orën 17:00, kur persona të maskuar kanë sulmuar stafin e OSBE-së në qendrën e votimit ‘Sveti Sava’, në veri të Mitrovicës, duke hedhur edhe gazë lotsjellës”, ka thënë Schlumberger.

Sipas tij, pjesëmarrja e votuesve në Leposaviq ka qenë 22 për qind, në Zubin Potok 22 dhe në Zveçan 11.1 për qind. Është me rëndësi që i tërë materiali zgjedhor dhe ai sensitiv është në duart e OSBE-së dhe tani ngadalë jemi duke e transportuar në jug të Mitrovicës, ka shtuar ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat