LDK e AKR ndihen fituese

Zgjedhjet 2013

LDK e AKR ndihen fituese

Më: 6 nëntor 2013 Në ora: 13:21

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, janë ndarë të kënaqura me rezultatin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Këto dy parti politike po pretendojnë se në zgjedhjet e së dielës kanë shënuar rritje të numrit të votave krahasuar me zgjedhjet lokalet të 2009-s si dhe ato nacionale të 2010-s.

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani, konsideron se zgjedhjet e 3 nëntorit kanë vërtetuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e parë në vend. Sipas saj, prej zgjedhjeve të viti 2009, kjo parti është rritur në 45 mijë vota. “LDK-ja tani ka rreth 230 mijë vota edhe pse nuk ka përfunduar numërimi. Për dallim nga viti 2009, tani kemi diku mbi 45 mijë vota më shumë, ndërsa nëse krahasomi me zgjedhjet e vitit 2010 në nivel vendi kemi një rritje mbi 60 mijë vota. Sepse tani jemi të 230 mijë vota e në vitin 2010 i kemi pasur 170 mijë vota”, ka thënë Osmani. Megjithatë, në bazë të raporteve të KQZ-së, LDK del të ketë marr 171425 vota apo 27.2%.

LDK në zgjedhjet e 3 nëntorit ka dalë e para në komunën e Pejës dhe Gjilanit të cilat në mandatin e kaluar janë qeverisur nga AAK-ja respektivisht nga PDK-ja. Mirëpo ky rezultat, sipas Vjosa Osmanit, nuk është aspak befasues për LDK-në. “Sepse kandidatët tanë janë duke punuar atje që një kohë të gjatë dhe ky ka qenë një shpërblim i punës dhe i përkushtimit i programit të kandidatëve të partisë sonë. Po ashtu jemi të bindur se edhe në balotazh do ta ruajmë atë votë, madje jemi të bindur se në këto qytete, por edhe në qytetet ku jemi në balotazh do të rritemi si parti”, është shprehur Osmani. Ajo vlerëson se kjo rritje e LDK-së në zgjedhjet e së dielës pashmangshëm do t’ia sjellë fitoren kësaj partie në zgjedhjet nacionale që priten të mbahen vitin e ardhshëm.

Megjithëse konsideron se partia e saj është rritur, Osmani nuk ka dashur të flasë nëse deputetët e kësaj partie pritet të marrin ndonjë iniciativë për ngritje të mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë së Hashim Thaçit, mocion i cili nëse do të miratohej, do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme nacionale.

“Kjo është një çështje që do të vendoset në Kuvend të Kosovës. Natyrisht që çështjet e tilla duhet të diskutohen edhe me partitë e tjera që kanë ulëse në parlament, sepse kjo nuk mund të bëhet nga një parti e vetme”, ka thënë Osmani.
Edhe Aleanca Kosova e Re vlerëson se ka arritur të marrë vota me shumë sesa në zgjedhjet kur ishte në koalicion më parti të ndryshme në vend.

Lideri i kësaj partie, Behgjet Pacolli, pretendon se partia që e drejton, në këto zgjedhje është pozicionuar mirë në nivel nacional. Kjo madje ia ka mbushur mendjen që në zgjedhjet e ardhshme t’i hyjë garës pa koalicion parazgjedhor. Ai ka thënë se AKR-ja po përgatit plan konkret për zgjedhjet e përgjithshme.

“Përvoja e fundit në vitin 2010 për ne ka qenë e dëmshme. Pse po them kështu, ne kishim një lokomotivë të partive që ishin mbrapa nesh dhe tash po i shihni veprimet e tyre. Njerëz që kanë ardhur aty janë renditur për interesa të veta dhe kjo po shihet qartë. Ne do të garojmë vetë, mirëpo jemi gjithmonë të gatshëm të bashkëpunojmë me partitë të cilat kanë një program që përputhet me tonin”, ka thënë Pacolli gjatë një konference për media të hënën ku ka folur për ecurinë e procesit zgjedhor të së dielës.

Nga ana tjetër, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se asnjë parti politike nuk ka arritur sukses në këto zgjedhje. Ardian Arifaj, konsideron se partitë politike kanë dështuar që të shënojnë rritje në elektorat në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas tij, edhe në këto zgjedhje është vërtetuar se partive politike u kanë munguar programet konkrete të cilat do t’i bindnin qytetarët për t’i votuar ato. “Nuk është sukses nëse e mban votën që e ke pasur, pasi partitë politike duhet ta rrisin votën, me e rritë trupin elektoral që voton për ta. Kështu që asnjëra parti nuk ia ka arritur që ta rrisë trupin elektoral dhe kjo është një vërejtje për të gjitha partitë politike që votuesit po u jepen. Pra ata po kërkojnë nga partitë që të bëhen me serioze, sepse qytetarët po konsiderojnë se nuk po i meritojnë votat e tyre”, ka thënë Arifaj. Megjithatë, ai vlerëson se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit kanë pasur edhe anën pozitive. “Sa herë që janë organizuar zgjedhje në Kosovë, kanë qenë me të këqija sesa zgjedhjet paraprake, ndërsa në këto zgjedhje ky trend ka ndryshuar, pra kemi pasur zgjedhje të mira të cilat kanë dëshmuar se edhe në Kosovë mund të organizohen zgjedhje të mira demokratike të cilat do të ndikojnë pozitivisht në imazhin e Kosovës”, ka thënë Arifaj. Por sipas tij, sfidë për partitë politike ende mbetet ofrimi i ofertave të cilat sipas tij, nuk kanë të bëjnë me realitetin dhe janë oferta boshe.

“Oferta duhet me qenë serioze dhe reale duke e paraqitur një vizion që partitë e kanë për komunën për qytetarin, kjo mendoj se u ka munguar të gjithë partive politike”, është shprehur Arifaj.
Nga ana tjetër, Ilir Deda nga instituti KIPRED, vlerëson se nga zgjedhjet e 3 nëntorit nuk ka të fituar, por të ndëshkuar. Sipas Dedës, janë ndëshkuar ata që kanë qeverisur derisa pret që i njëjti trend të vazhdojë edhe në zgjedhjet nacionale.
“Është evidente se nuk ka fitues. Lidhja Demokratike e Kosovës e cila në shumë komuna është rikthyer dhe ringjallë, në nivel nacional nuk e ka fituar. E kemi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka humbur në shumicën e bastioneve të saj por është rritur në rrafshin e Kosovës, pra rreth 14%, ku një pjesë e votuesve të PDK-së i ka shkuar AAK-së”, ka thënë Deda në një intervistë për gazetën Tribuna. Sipas tij, humbësi më i madh në këto zgjedhje është PDK-ja dhe Vetëvendosje. Ndërsa AKR-ja, sipas tij, vazhdon të mbajë ritmin e njëjtë e ndihmuar nga votat e fituara nga kandidatura e Mimoza Kusari-Lila në Gjakovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat