Balotazhi në Prizren, garë mes Berishës dhe Ramës!

Zgjedhjet 2013

Balotazhi në Prizren, garë mes Berishës dhe Ramës!

Më: 10 nëntor 2013 Në ora: 22:06

Kandidati i LDK’së për Kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu e ka konfirmuar për Express se ftesa për të ardhur Sali Berisha në Qytetin e Vjetër është e tij.

Ai ka thënë se Sali Berishën e ka mik personal dhe për këtë arsye ka menduar ta ftojë në Prizren. “Ka qenë ide imja, meqë Berishën e konsideroj mik personal”, ka thënë Kryeziu.

“Pra: jo LDK-ja, por Eqa. Megjithatë, nuk ka asgjë përfundimtare”, ka shtuar ai. Kryeziu ka treguar se ende nuk kanë kontaktuar me Berishën, megjithëse presin përgjigje pozitive nga ai. “Jo, ende nuk është ftuar. Të paktën unë nuk e di”.

Ndryshe në përfundim të fushatës elektorale, Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi i pati ftuar në Prizren Kryeministrin e Turqisë dhe atë të Shqipërisë për të përkrahur Ramadan Mujën në garën për Kryetar Komune.

Kandidati i LDK’së pati thënë se Ramadan Mujës mund t’i ndihmojë vetëm Sulltani i Madhërishëm duke u ngritur prej varrit. Ndërkohë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përsëri ka paralajmëruar se do të vizitojë Prizrenin më 16 nëntor, dy javë para balotazhit, për të mbajtur një mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Kosovës.

Ndaj këtij njoftimi ka reaguar edhe Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka bërë thirrje që Kryeministri i Shqipërisë të mos përfshihet në fushatën elektorale duke e ndihmuar PDK’në dhe Ramadan Mujën në Prizren.

Në zgjedhjet e së dielës, më së shumti vota ka marrë Ramadan Muja i PDK'së me 23 mijë vota apo 36.95 përqind, ndërsa i dyti është Eqrem Kryeziu i LDK'së me 16 mijë e 335 vota apo 25.40 përqind.

Zafir Berisha është renditur i treti dhe ka marrë 8 mijë e 281 vota apo 12.88 përqind të votave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat