VV në Zvicër: Përkrahim protestën e 1 shtatorit

Zvicra

VV në Zvicër: Përkrahim protestën e 1 shtatorit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 gusht 2016 Në ora: 20:24
Ilustrim

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Zvicër përmes një komunikate për media kanë përkrahur protestën e cila pritet të mbahet me një shtator.

Në komunikatë për media VV-ja në Zvicër ka bërë thirrje që qytetarët t`i bashkohen protestës në Sheshet e Prishtinës për të shprehur zërin kundër demarkacionit, në mbrojtje të Republikës.

“Ka 16 vite që këto dy parti PDK dhe LDK kanë qeverisur shtetin dhe i kanë bërë koncesione Serbisë pa reshtur. Ky pushtet autoritar e ka shkatërruar ekonominë, arsimin, drejtësinë dhe shëndetësinë. Në vend të mirëqeniessocio-ekonomike, qytetarëve u ka krijuar mbijetesë biologjike, duke i mbajtur ata të varur nga kriminelët politikë të llojit të Hashim Thaçit, Kadri Veslit, IsaMustafës, Adem Grabovcit dhe shumë të tjerë.

Sikur kjo të mos mjaftonte, dhe tanimë që nuk kanë çka të shesin, kanë filluar të japin territorin e shtetit si plaçkë për t’u siguruar se ata do të mbeten në pushtet, gjë që nënkupton të mbesin të mos hynë në burg.

Përgjimet e fundit të klanit “PRONTO”, dokumentuan me fakte se kapësit e shtetit nuk kanë as më të voglin shqetësim për ngritjen e institucioneve dhe mbrojtjen e shtetit. Atyre iu intereson se si të pasurohen, të rehatohen nëpër  pozita publike dhe nëpër borde të ndërmarrjeve publike ku qarkullojnë miliona euro. Ndërsa, sa i përket sovranitetit e integritetit territorial, ata e negociojnë fatin e Kosovës me këdo e kudo që ua kërkojnë, në Bruksel, në Beograd apo gjetiu, duke e cenuar rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës.

Pas peticionit qytetar me mbi 205 mijë nënshkrime kundër marrëveshjes për Demarkacion, pas ekspertizës profesionale nga akademikët, ekspertët dhe shoqëria civile, pas kundërshtimit të gjitha partive opozitare brenda dhe jashtë Parlamentit përmes dhjetëra protestave, me qindra mijëra qytetarë në sheshet e Prishtinës dhe më gjerë, Qeveria kryeneçe e korruptuar e Kosovës nuk dëshiron të dëgjojë argumentet, të cilët konstatojnë se Kosova po humb mbi 8’200 hektarë.

Duke e parë me shqetësim të thellë presionin mbi deputet e opozitës dhe të pozitës, luftën me mediat e kapura nga ana e Qeverisë dhe të ashtuquajturin « President i gazit », për ratifikimin e kësaj marrëveshje me kërcënimin se Kosova do të izolohet, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtareve që t’i bashkohen protestës. Të gjithë së bashku ti kundërshtojmë pushtetarët tradhtarë dhe ndalojmë faljen e territorit të Kosovës, Malit të Zi.

Qeveria është e vendosur që të falë tokën e Kosovës. Ne jemi edhe më të vendosur për të ndalur këtë Qeveri kuislinge të bëjë pazare me tokat e Republikës.

Sot, se nesër është vonë! Të gjithë së bashku, qytetarët në Kosovë dhe ata në diasporë e kemi për obligim ta ndalim këtë Qeveri totalitare që t’ia bëjë tradhtinë e radhës shtetit të Kosovës. Mërgata gjatë gjithë ekzistencës së saj ishte faktor i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të atdheut. Edhe tani po vazhdon mobilizimin e saj për të kundërshtuar fuqishëm dhe pa kompromis  demarkacionin me Malin e Zi.

Me 1 shtator, na presin Sheshet e Prishtinës për të shprehur zërin tonë të fuqishëm kundër demarkacionit, në mbrojtje të Republikës. Bashkë është e mundshme”, thuhet në komunikatë./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat