Prindër: Mos ngurroni ! Çoni fëmijët në shkollën shqipe që ta mësojnë gjuhën e nënës

Zvicra

Prindër: Mos ngurroni ! Çoni fëmijët në shkollën shqipe që ta mësojnë gjuhën e nënës

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 11 tetor 2016 Në ora: 23:50
ilustrim

Tefik Xheladin është një mësues i pasionuar në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Avenches, Kantoni i Friburgut- Zvicër. Mësuesi Tefik, errësirën e krijuar për mësimin e gjuhës shqipe në mërgim mundohet ta shpërndaj vetë. Ai ka trokitur derë më derë të bashkatdhetarëve për të regjistruar më shumë nxënës në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe por është zhgënjyer me numrin e vogël të fëmijëve që duan të mësojnë gjuhën shqipe. Kam zhvilluar një intervistë me te.  

Vendlindja juaj dhe çfarë trashëgoni prej saj në kujtesën tuaj?

Fillimisht ju falënderoj për intervistën. Unë quhem Tefik Xheladini, vijë nga fshati Tërnovc i Madh, komuna e Bujanovcit - Kosova Lindore. Në vitin 2002 kam mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës, në fakultetin e Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Kam punuar në shkollë fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnovc.

Kur keni ardhur në Zvicër?

Në vitin 2007.

Çfarë ju frymëzoi në hapjen e shkollës  së mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Largimi nga atdheu nuk më shkëputi nga e kaluara si mësues si njerëz që mbajnë e përcjellin brez pas brezi gjuhën e folur dhe të shkruar të një kombi. Kam vlerësuar shqetësimin e disa prindërve se fëmijët e tyre, flasin shqip por nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë në gjuhën e nënës. Vërtetë nismëtar për hapjen e shkollës ka qenë prindi Ragmi Asllani, kryetar i LAPSH-it për komunën e Avenches-ës.

Kur ishte ora e parë e mësimit larg atdheut dhe sa nxënës keni?

Ora e parë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Avenches kam filluar më 15 janar 2016. Kam 11 nxënës dhe nxënëse: Dren Osmani, Alb Shabani, Andi Bajrami, Astrit Asllani, Kushtrim Jusufi, Merlind Beqiri, Eron Amidi, Diana Sulejmani, Marigona Salihi, Eliza Hajredini, Laura Goga.

Na përshkruani rrugën deri te hapja e Shkollës së mësimit plotësues shqip?

Rruga deri tek hapja e shkollës ka qenë mjaft e veçantë. Nuk dinim ku të drejtohemi apo çka të ndërmarrim së pari, pasi që ishte një fushë plotësisht e re si për mua ashtu dhe për prindër. Por pasi që ishim të përkushtuar në këtë drejtim, arritëm të kontakjomë me përfaqësuesit e LAPSH-it Lausanne. Me ndihmën e tyre, e në veçanti të znj Merita Azemit, z.Hasim Hoxhës, z. Isni Idrizit e të tjerëve, arritëm të hapim një klasë. Tani që i kemi mësuar disa hapa, rruga duket më e lehtë. Fakti se për këtë vit shkollorë kemi hapur edhe një paralele të re me nxënës të ciklit fillestar, punon mësimdhënësja Arbënore Sabedini.

Si mendoni pse pjesëmarrja e nxënësve shqiptarë në mësimin e gjuhës shqipe është kaq e ulët?

Për mendimin tim prindërit nuk e kanë marrë seriozisht mësimin e gjuhës amtare, në rëndësinë e shkrim-leximit në dy gjuhë. Kam dëgjuar  edhe thënie “çka i vyen të dijë të shkruaj e të lexoj gjuhën shqipe kur jeton në Zvicër”. Për mua, ky është një gabim shumë i madh. Përkundrazi, sa më shumë që ta njohësh veten dhe prejardhjen tënde, aq më shumë ka për të ndihmuar që të zhvillohesh aty ku jeton. Studimet dëshmojnë se fëmijët që dijnë 2 gjuhë janë më të zgjuar dhe janë një pasuri po për shoqërinë.

Çfarë porosie keni për prindërit  shqiptarë ?

Prindër : Mos ngurroni ! Çoni fëmijët në shkollën shqipe që të mësojnë si shkruhet dhe si lexohet në gjuhën e nënës. Ata do të marrin njohuri në gjuhën amtare. Fëmija që njeh mirë gjuhën e vet e ka më të lehtë të mësoj gjuhën e dytë. Përveç këtyre ata mësojnë edhe histori kombëtare, gjeografi të atdheut, kulturë muzikore dhe figurative.  Në këtë mënyrë ata kuptojnë kulturën e vet dhe forcojnë besimin në identitetin të cilin i përkasin. Duke ditur mirë gjuhën amtare ata krijojnë një urë ndërmjet gjuhës amtare që përdorin në familje dhe gjuhës që përdorin në shkollë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat