Në kujtim të 24 marsit të vitit 1999, kaq i rëndësishëm për kombin dhe shtetin tonë

Zvicra

Në kujtim të 24 marsit të vitit 1999, kaq i rëndësishëm për kombin dhe shtetin tonë

Më: 24 mars 2017 Në ora: 08:16
Refugjatët shqiptarë nga Kosova, të larguar me dhunë nga kriminelët serb

Sot, më 24 mars bëhen 18 vjet prej fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe, në mbrojtje të Kosovës. Më 24 mars 1999, është dita për njohjen e Kosovës në botë dhe të ardhmen e saj në rrugën e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e Kosovës në rrjedhat evropiane dhe evro-atlantike. Këtu, pra, qëndron vlera historike e magjike e kësa dite e quajtur 24 marsi 1999, dita sulmeve ajrore, dhe e rolit e luftës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish Presidentit të saj William Jeferson Clinton - Bill Klintonit dita e fjalimit të tij adresuar kombit amerikan sot tetëmbëdhjetë vjet më parë.

E  gjithë bota i kishte sytë nga Kosova në vitin 1999, e posaçërisht në kohën kur NATO filloi sulmet ajrore ndaj caqeve të forcave të policisë Serbe në Kosovë e Serbi.

Ky veprim i aktorëve të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare i dha fund njëherë dhe përgjithnjë edhe mohimit dhe nëpërkëmbjes së egër thuajse shekullore të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, të cilat arritën kulmin me gjenocidin dhe shpërnguljen me përmasa biblike të organizuar nga regjimi diktatorial i Millosheviçit në fund të viteve 1990.

Përfshirja e Aleancës Veriatlantike në luftën e Kosovës ka mundësuar, që pas fushatës 78-ditëshe, të dëbohen forcat serbe nga Kosova. 

Ky përvjetor do të jetë gjithnjë rast për të shprehur ndjenja nderimi të thellë ndaj të gjithë atyre bashkëkombësve shqiptarë të cilët iu përkushtuan çështjes së Kosovës dhe sidomos atyre që u martirizuan në përpjekjet për çlirimin e saj.

Falë largpamësisë politike dhe ushtarake të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës dhe udhëheqësve politikë dhe kombëtarë shqiptarë të atyre viteve, ngase detyrë mbi detyrat në ato kohëra shumë të vështirë okopuese ishte ruajtja fizike e qenjës shqiptare në Kosovë. 

Sot kujtojmë me nderim të lartë sakrificën sublime të luftëtarëve të UÇK-së, të dëshmorëve tanë, të cilët ranë që brezat e ardhshëm të jetojnë në Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur.

Asnjë nga heronjët dhe dëshmorët e kombit nuk kanë shkuar në luftë që ta luftojnë armikun në emër të ideologjive partiake ose për interesa tjera politike, ngase që të gjithë kanë vdekur për idealet më të larta kombëtare siç është liria, pavarësia dhe bashkimi kombëtar.

Përtej mirënjohjes së thellë të natyrshme qëndron nevoja qytetare që një ngjarje si kjo duhet të gdhendet në kujtesën historike të kombit shqiptar brez pas brezi dhe të mos harrohet për t’u shndërruar në burim të të menduarit dhe të vepruarit në mënyrë të mençur në rrugën tonë drejt së ardhmes. Ndërhyrja e NATO-s duhet të vështrohet si një qëndrim dhe veprim moral mirënjohjeje ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare dhe aktorëve të saj kryesorë si Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe NATO-ja për mbështetjen që iu dha shqiptarëve. Është një fakt historik në nderin tonë që të kujtojmë sot 24 marsin e vitit 1999, kaq të rëndësishëm për kombin dhe shtetin tonë.

Zoti e bekoftë NATO-n dhe miqtë e popullit shqiptarë në krye me SHBA-të! 

Zoti e bekoftë popullin shqiptarë dhe Kosovën tonë të dashur!

Haki Latifi

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat