Agim Gashi pas vdekjes si poet, rapsod dhe veprimtar mbeti i gjallë dhe i pa vdekshëm të kombi shqiptar!

Zvicra

Agim Gashi pas vdekjes si poet, rapsod dhe veprimtar mbeti i gjallë dhe i pa vdekshëm të kombi shqiptar!

Nga: Asllan Dibrani Më: 21 korrik 2017 Në ora: 12:39
Agim Gashi

Me shumë pikëllim e përjetova humbjen tënde pas shumë vargjeve  poetike ,portreteve dhe  artikuj publicistik  për atdheun, kulturën  artin dhe sfidat e këtij populli. Fjalët janë të pakta të përshkruaj dhimbjen që e ndjeje për ty në këto momente njeriu i sakrificave deri në frymën e fundit e mbajte lënien  për kombin, kulturën dhe  vlerat e kombit.  Gjithmonë ishim së bashku me opinionet tua që kishe në shënjestër kritike të metaltat në shoqërinë  kosovare e ma gjerë ne rrafshin kombëtar. Për ndarjen nga jeta të poetit, rapsodit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, interpretues të këngëve burimore folklorike shqipe  krijoj  pikëllim dhe humbje  të populli i ynë  qe mbeti pa një port dhe këngëtar  i vajeve dhe gëzimeve qe i kushtoj popullit të vet.

Urtësia, kultura, bujaria dhe ndërtimi  njerëzor i yti, or Agim Gashi  ishte i një rangu të lartë. Vdekja e jote   me theu   shpirtërisht  mua dhe  krijuesit tjerë  në Lidhjen e Shkrimtarëve  Shqiptarë  në Gjermani, familjen dhe farefisin. Nga kjo  humbje  e mikut tim pas një sëmundje të gjatë  na i ndërpreu cingirrimat e telefonit, bisedat ,dhe kujtimet e  së kaluarës  edhe si bashkëpunues  në krijimtarinë tonë. Nga kjo humbje dhe  mungesë  për ty or vëlla nuk munda ndryshe ta  ngushëlloj veten, pos ta  përmbush këtë boshllëk për mes këtij artikulli me përkushtim, për ty i madhi Agim Gashi. Kujtimet do t'i filloj nga dita  që u njohëm  me rastin e pajtimit të gjaqeve në Kosovë,.

Image
Agim Gashi poet,këngëtar rapsodik ,veprimtar ish i burgosur politik

Agimi  iu bashkua ikjes nga atdheu ne emigrim drejt shteteve perëndimore për shkaqe sigurie, pas një burgu disavjeçar në vitet tetëdhjetë kur shqiptarët kërkonin Kosovën Republikë.  Me ty  u njohëm  në aktiviteteve  kulturore në Gjermani në përvjetorë dhe manifestime  qe ish pjese e pa ndashme deri në çlirimin e atdheut nga Serbia.

Përvjetorit e themelimit të "Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani"ishin ato takime qe zëri i yt n mbeti në kujtesë me vargjet e bukura kombëtare satirike dhe të dashurisë. Agim fizikisht nuk je ma   në mesin tonë,  por kujtesa e begatë shkrimore, do të mbajë të gjallë në mesin tonë, në mendjen dhe zemrën e familjes, të miqve, bashkëpunëtorëve dhe të dashamirëve të shumtë.

Agimi  do të kujtohet, nga brezat shqiptarë, për krijimet poetike, për satirat brilante, për këngët dhe zërin kumbues.

Me ndarjen e tij nga jeta, ne e humbëm një rapsod që ishte një nga këngëtarët që një jetë të tërë ia kushtoi këngëve folklorike, duke u shndërruar kështu në një nga emrat e njohur të kësaj lëmie në vargun e krijuesve ma te mëdhenj të popullit tonë. Puna dhe vepra e tij do të mbeten kujtimi më i mirë për të gjithë ata që e njohëm bashkëpunuam dhe vepruam me te, gjatë gjithë jetës së tij. Poeti dhe rapsodi Gashi do të mbahet mend me personalitetin e tij, ndërsa vepra e tij do të ju shërbej brezave që do vijnë në vazhdim.

 Andaj, bashkëndjejmë dhimbjen me familjarët dhe të gjithë ata që e njohën Agim Gashin, dhe përmes këtij shkrimi  ftoj të nderuarën  familje që ti pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta nga ana ime .

Agim nuk mund te thoja, as fjalën lamtumirës, se ti ike shpejt për në botën  e pa kthim!. Deri në frymën tënde të fundit ishim se bashku në telefonata,brenga ,dhembje  shkrime. I kujtuam edhe  vuajtjet tona gjatë burgjeve nën regjimin  jugosllav .Agim i madh i penës i këngëve i poezive, na le kujtime për ty dhe  do të mbetet gjithmonë i gjallë në mësimin  se si duhet  atdheu, kombi dhe flamuri. Edhe pse ti shkove,le pas shumë gjurmë dashuri dhe kujtime te bukura për popullin tënd ndërsa, ishe plumb për armikun dhe tradhtarët. Ti je ndarë fizikisht nga ne, por do jetosh gjithmonë në zemrat tona me zërin tënd  artistik  me një gërshetim artistik dhe melosin  kombëtar.

 Ai zë që ende dëgjohet, ai shpirt që ende këndon, ajo sharki që nuk rri e heshtur edhe kur të zotin nuk e ka pranë. Ai zë, i cili atdheut i këndoi  po me aq besnikëri për kaq kohë. Shpirti i tij nuk gjen qetësinë për kaq kohë sa përballja me shëndetin jo të mirë, jo vetëm Agimin, por edhe miqtë e tij, i goditi në shpirt sa ishe në përballje.

Ka bërë aq sa ka mundur, duke e dhënë një pjesë të shpirtit të tij që Kosovën ta shohë ndryshe, ashtu siç edhe e ekzekuton në telat dhe zërin e kumbueshëm të sharkisë. Ata që e njohin shpirtin e tij, përveç që dëgjuan me shumë përkushtim këngën e tij rapsodike, poezitë e tij epiko-lirike, janë ato që çdo ditë u gjendën me fjalë dhe me vepra pranë tij edhe kur ishte  në Kosovë, edhe kur ishte në mërgim, madje edhe kur ishte i  shtrirë në spital.

Image
Foto nga takimi tradicional i LSH në Gjermani me 01.05.2015 kushtuar Pavarësisë se Kosovës ku moren pjesë një numër i madh krijuesish nga Gjermani, Austria, Italia, Greqia ,Rumania, Zvicra etj

Agim ti ishe pionier i frymëzuar nga këngë të bukura të Nexhmije Pagarushës e Naile Hoxhës, të Qamilit të Vogël e të Jusuf Myzyrit, të Rizah Bllacës  e Dervish Shaqa etj.  Kur ishte i vogël, i  ngeli në kokë  Skënderbeun, Lahuta  e Malcisë“ këngët kreshnike dhe ato historike,folklorit që i mbollën dashuri për atdheun dhe popullin,për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Me  përkujtohet thënia e Faik Konicës „Shqipërinë shpëtoje, Zot, nga shqiptarët“!  Pse e përkujtoj këtë thënie? Sepse, shqiptarët me vetë dëshirë shpesh ra nen lajthitje   me vetveten . Kur eshte fjla te Muzika kenga dhe folklori  Agimi shprehet se e kopjuan muzikën e huaj dhe ia servojnë masave të gjëra si diçka origjinale. Vazhdimisht duke e dëgjuar këtë muzikë, njeriu ynë mësohet dhe patjetër se është i detyruar të ndahet nga origjinalja shqiptare e cila sipas mendimit tim është më e bukura, më e larmishmja dhe më besnikja në botë. Këtë  revolte e shihte edhe Agim Gashi që shkroi dhe  i gjykoj këto të meta në shoqërinë kosovare. Mos të mendojnë se po bëjnë burrëri, përndryshe veprimet e tilla janë të barabarta me tradhtinë.

Agimi shpesh u shprehte   se këta njerëz , me zell janë duke e shfrytëzuar kaosin e dhimbshëm të kombit në të gjitha trojet etnike, duke u bërë kujdestarë të pseudovlerave dhe të pseudopatriotizmit.

Në këtë kohë të tranzicionit kombëtar ma kudo që të shkosh s’ke për të dëgjuar më këngë të bukura të Nexhmije Pagarushës e Naile Hoxhës, të Qamilit të Vogël e të Jusuf Myzyrit, të Rizah Bllacës  e Dervish Shaqes, por ke për të dëgjuar zëra insonant e të pa artikuluar të një muzike të huaj që as dreqi si bie në fije, thua se je në një vend të fosileve antiqytetruese, apo edhe në qytetet e atyre që në shekuj na i bënë shumë të këqija. Kam shpresë se pa kaluar kohë e gjatë, pa u bërë tepër vonë, do të këndellemi si kolektiv dhe do të mendojmë ndryshe , pra të mendojmë kombëtarisht shprehet nder te tjera  Agim Gashi .

Biografia  e Rapsodit dhe poetit  Agim Gashit!

Agim Gashi lindi më 27.07.1954 në fshatin Akllap të Komunës së Lipjanit.Ishte fëmija i parë i prindërve të Hamitit dhe Fikrijes për të qenë pastaj 8 fëmijë, katër motra e katër vëllezër.Shkollën fillore katër klasëshe e kreu në vendlindje, ndërsa katër klasë tjera në Janjevë dhe Sllovi. Akademinë e mësuesisë e kreu më 1973 dhe u inkuadrua si mësues, së pari në fshatin e lindjes e pastaj në Janjevë. Ndërkohë vazhdoi studimet në gjuhë dhe letërsi. Meqenëse Agimi në shpirt kishte tërësisht  i dhene pas  këngëve e muzike, sepse që nga viti 1973 ishte edhe këngëtar i rregull i RTP-së, kjo e rrëmben për ta shkëputë nga studimet për të vazhduar shkollimin e zërit tek profesori i njohur Terpkov nga Shkupi që ishte baritonisti më i  njohur i kohës. Në këtë kohë ai merrej edhe me folklorin, ku ishte edhe bashkpuntor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, seksioni i etnomuzikologjisë dhe i folklorit. Këtu pati rastin të bashkëpunoj ngushtë me Prof. Anton Çetten, Bahtrir Shehollin, Anton Berishen, Dr. Zekiria Canen, Rexhep Munishin rtj.

Qysh në vegjëli Agimi pati fatin të bie në kontakt me „Lahuten e malsisë“ së At Gjergj Fishtes dhe me shumë vepra tjera të rilindëseve, që në atë kohë i mbante të mshefuar familja e tij.

Babai dhe axhallarët panë se te Agimi gufonte një talent i rrallë si në këndim ashtu edhe në recitime të vargjeve, ata u angazhuan të ia mbjellin dashurinë e madhe për atdheun dhe lirinë e tij. Qysh në moshën dhjetëvjeçare ai pothuaj e këndonte dhe e recitonte „Lahutën e Malcisë“ për çka fshat më fshat bëhej me gomar e me kali për të i prezantuar aftësitë në dasmat e ahengjet e kohës. Nuk është çudi pra që sot dorëshkrimet e Agimit numërojnë mbi dhjetëmijë tituj të këngëve dhe poezive të shkruara nga dora e tij e që fatkeqësisht një pjesë shumë e vogël është publikuar . Do të ishte fatkeqësi që ky arsenal të mbetet në sirtarë apo edhe të humbë fare. Vlen të përmendim se poezinë e parë Agimi e botoi në moshën dhjetë vjeçare në gazetën „Pionieri“.

Agimin nuk do e gjejmë vetëm me këngën dhe poezinë e tij por edhe në demonstratat e viti 1968, 1981, 1989…Për këtë nga regjimi komunist ai dënohet me vite burgim, maltretohet, persekutohet dhe izolohet e në fund në janarin e vitit 1994 derisa gjendej i mërguar nga dhuna, atij ia vrajnë djalin, Ninelin 17 vjeçar e që sot e atëherë nuk ia  di as varrin.

Menjëherë pas daljes nga burgu më 1989 dhe pak më vonë edhe nga izolimi, edhe pse disa here e rrahën mizorisht dhe barbarisht, ai nuk e ndali aktivitetin as ilegal e as atë legal, as të këngës e as të shkrimeve, ku për çdo ngjarje Agimi thurte nga një këngë për të mbetur histori e paharruar e kombit.

Viti 1990 Agim Gashi i bashkohet karvanit të pajtimtarëve për tu bërë krah i djathtë i Anton Çettes, Don Lush Gjergjit, Zekiria Canes, Hoxhë Kakrrukut e shumë e shumë veprimtarëve të pajtimit. Buçima e këngës së tij jehonte fuqishëm në trojet etnike dhe  zbuste edhe zemrat prej guri për ta shtri dorën e pajtimit. I gjurmuar dhe i përcjellur nga policia serbe, i rrahur dhe i persekutuar me dhjetëra here u detyrua ta lë vendlindjen të migroj në Slloveni krejt me qëllim të vazhdimit të aktivitetit të tij. Aty në Lubjanë Agimi u kyç menjëherë në aktivitetet e shoqatës „Migjeni“ ku pati rastin të veproj me njerëzit që në atë kohë qëndronin atje e siç ishin: Ukshin Hoti, Sali Kabashi, Naim Maloku, Halil Matoshi, Shemsi Reçica, Abedin Maliqi e shumë të tjerë.

E kemi për obligim ta cekim se të vetmit Ukshin Hoti dhe Agim Gashi për shkak të kushteve ekonomike banonin në konviktin e nxënësve „Zvijezni Center“ të Lubjanës. Gjatë qëndrimit në Lubjanë Agimi nuk ndejti duarkryq, por me shpenzimet e veta regjistroi albumin dy pjesësh „I këndojmë Kosovës, i këndojmë demokracisë“ që më vonë me ndihmën e vëllezërve Kuzhnini dhe në përkujdesjen e prof.dr. Zekiria Canes dhe prof.dr.Shaban Hashanit, u shumzuan në Jugoton të Zegrebit. Ky album u shpërnda në të gjitha trojet etnike, por një sasi e konsiderueshme u konfiskua nga policia serbe duke mos menduar ata se kënga e Agim Gashin nuk ndalet as me dhunë e as me terror. Aktiviteti i tij tani ishte përqendruar në Zagreb ku pati rastin të punonte me dëshmorët Fehmi e Xheva Lladrovcin, të burgosur tjerë politik shqiptar e ata kroat, me Tuxhmanin, Mesiqin, Grakaliqin, Dr. Langun, me minatorët e Trepçës, me delegatët e Kuvendit të Kaçanikut, si dhe shumë personalitete të jetës politike dhe kulturore të kohës. Është i njohur koncerti i Zagrebit organizuar nga Shoqata „Nëna Terezë“ ku Agimi në prani të delegatëve të Kushtetutës së Kaçanikut dhe mijëra spektatorëve i këndoi Kushtetutës së Kaçanikut!

Helmimi i nxënësve në Kosovë Agimin e trondit thellë, kështu që duhej vepruar akoma. Ai kalon në Sarajevë për ta vazhduar aktivitetin e tij. Atje në atë kohë familjet boshnjake dhe kroate e në organizimin e këshillit për ndihma Kosovës ku Kryetar ishte këngëtari boshnjak Safet Isoviq, organizuan ftesën me qëllim këndelljeje  të 1500 fëmijve  shqiptar që ishin helmuar nga soldatesaka serbe. Agimi edhe këtu angazhohet e duke u takuar me Alia Izetbegoviqin, Halil Çengiqin, Fikret Abdiqin etj. Pas qëndrimit dy javor të fëmijëve shqiptar në BH, dita kulmore ishte organizuar në sallën „Zetra“ të Sarajevës ku me anë të koncertit ku do të këndonin Safet Isoviq, Hanka Palldu dhe Agim Gashi, do i thuhet lamtumirë fëmijëve mysafir. Koncerti ishte impozant. Kënga për falënderimin e organizatorit dhe popullit të Bosnjës që aq ngushtë solidarizohej me vuajtjet tona, Agimi kishte komponuar një këngë që e tërë salla prej 30 mijë njerëzish buçiste duke kërkuar përsëritjen. Ovacionet i shkaktuan rreshtat e fundit të këngës ku thuhej pos falënderimeve edhe „Të na rrojnë Ibrahimi dhe Alia“!

Jeta në Sarajevë iu vështirësua andaj Agimi detyrohet patjetër të vjen në Kosovë ilegalisht. Pas qëndrimit dy mujor, policia i bie në gjurmë dhe e arrestojnë duke e maltretuar mizorisht.

Pas disa ditësh e lirojnë por i konfiskohen të gjitha dokumentet e indetifikimit dhe se çdo ditë duhej lajmëruar policinë se ku gjendej. Një ditë, të vitit 1992, policia serbe e Lipjanit nuk patën fatin të takohen me Agimin. Ai tani me ndihmën e disa miqve ishte në Shkup tek miku i tij Mala. Atje i sigurohet një pasaportë falso dhe merr rrugën e mërgimit. Me sharkinë e tij së pari këngën e fillon në Vjenë të Austrisë. Disa koncerte humanitare për 3%-shin e RK, Agimi ishte i pari që e filloi këtë aksion për të mos u ndal  deri me ditën e vdekjes. Duhet të përmendim edhe faktin se poqëse Agimi kishte marrë për veten e tij parat e fituara nga qindra e qindra koncerte në tubime tjera, ai do të ishte njeriu më i pasur i yni e  jo si e përfundoj jetën e vet ne skamje varfëri dhe vuajtje. Ai  të gjitha të ardhurat i dhuronte në destinacionet për të varfër e për luftën. Me rastin  e keqësimit të gjendjes shëndetësore me një rast para dy vitesh me kërkoj dhe me tha “ Vëlla Asllan, unë po vdes, por mundësisht  librat dorëshkrimet dhe videokasetat e krijuara mos të më mbesin   në Gjermani se këtu ,pos koshit të plehrave nuk kane vlerë ”.Unë merrem me një  firme transportesh që 17 vjet  nga Evropa dhe për Kosovë. I thash  bëri gati unë ta kryej këtë porosi  edhe ashtu veprova. Librat dorëshkrimet dhe  kasetat e tij te krijimtarisë  sot janë në Kosovë, pos dorëshkrimeve të fundit qe i ka bërë edhe ne  pragun e vdekjes  edhe ne shtratin e spitalit  ishte i lidhur me trungun ,kulturën tonë ,prandaj  lus vajzën  e tij Azalenë,shokët dhe miqtë tjerë që kanë ndonjë   dorëshkrim të tij të më lajmërojnë  t’ja kompletojmë edhe  t’ja bashkojmë  me tjerat në Kosovë.  Është një turp i madh, po qe se Qeveritarët e Kosovës nuk e marrin si obligim ti botohen këto vepra kolosale këtij krijuesi te madh kombëtar. Pastaj si mund të harrohen qindra mbrëmje letraro-muzikore që Agimi i organizonte me mikun e tij, poetin Ali Podrimen, pastaj me Azem Shkrelin e ndjerë, me skulptorin Agim Çavderbashen, poeten Lindita Arapin, Adem Gashin, Faruk Tashollin etj. Me poshtë  e bashkëngjis këngën e tij të fundit  që lexuesi e kupton  thellësisht  patriotizmin   dashurinë dhe vlerat  e tij për atdheun.

KANGA E FUNDIT

AGIM GASHI

Kangën e fundit me sharki
Po e këndoj, atdhe, për Ty!

Vetë i dyti o këtë kangë këndoj,
Loti lotin s’po ma ndal,
Qajnë e qajnë sytë e mi,
Rrjedhin faqeve e mbi sharki.
Për nanë e atdhe malli m’ka marrë,
Këtë kangë vaji du me ua falë.

O i dashuri im atdhe,
Vend i shenjtë ku kam le,
Nga dhenat e hueja, në kurbet t’zi
Shumë e lus Zotin për Ty.
Të kesh paqë e lumturi,
Edhe varret në qetësi.

A më pret kjo jeta ime,
Për me ardhë e me ju pa?
Me marr n’gryk un’ nanën time,
Me lot rrudhat me ia la?
Mbushet bota me hijeshi hane,
Mbushet shpirti me aromë nane.

Me lot zemre këndoj e qaj,
Atdhe, lutje të kam kërkue,
Ma ep fjalën e ma ep besën:
Dy metra tokë me m’i dhurue,
Spo due kopshte e spo due arë
Por ta baj nji t’vogël varr.

Të vi i vdekur t´pushoj tek ti
Vetëm aty do t´gjej qetësi!
03.03.2013 Düren Gjermani

U prefsh në paq Agim Gashi! Do të mbetesh përherë  në zemrat tona  i gjalle e i pa vdekshëm.

Me respekt dhe përkushtim nga Luan-Asllan Dibrani kushtuar kengetarit rapsodit dhe krijuesit dhe mikut tim Agim Gashit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat