Në Luzern të Zvicrës u shënua 25-Vjetori i themelimit të Misionit Katolik Shqiptar - Bota Sot
Në Luzern të Zvicrës u shënua 25-Vjetori i themelimit të Misionit Katolik Shqiptar

Zvicra

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Në Luzern të Zvicrës u shënua 25-Vjetori i themelimit të Misionit Katolik Shqiptar

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 12:06
Akademia e mbajtur në Luzern të shtunën me 14 Tetor dhe mesha solemne e kremtuar të dielën më 15 Tetor në sallën e sportit në Sursee.

Gjatë këtij viti, Misioni Katolik Shqiptar në Luzern, ma aktivitete të ndryshme shpirtërore e kulturore, shënoi 25 Vjetorin e themelimit. Kurorëzimi i këtyre ngjarjeve ishte Akademia e mbajtur në Luzern të shtunën me 14. Tetor dhe mesha solemne e kremtuar të dielën më 15. Tetor në sallën e sportit në Sursee.

Në fillim të Akademisë, në emër të tri Misioneve të pranishmit i përshëndeti nikoqiri i kësaj ngjarjeje, Don Agim Qerkini. Në fjalën e rastit ai shprehu falënderime për ish misionarët dhe motrat e nderit, pastaj, Kishën vendore për përkrahje gjatë një çerek shekulli, duke veçuar famullitë, me të cilat është i lidhur ngushtë bashkëpunimi në jetën pastorale. Në këtë falënderim të përzemërt u përfshinë Këshilltarët e mëparshëm dhe ata aktual të Misioneve, pastaj edhe të gjithë të tjerët që kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë në të gjitha organizimet e tjera të Misioneve.

Në vazhdim me një fjalë rasti përshëndetëse, të pranishmëve iu drejtuan Hans-Peter Bucher, nga Këshilli Administrativ për Misionet e huaja, pastaj Thomas Lang, Udhëheqës i famullive të Shën Mihillit dhe të Shën Antonit, të cilët shprehën gëzim të madh për punën dhe aktivitetet e shumta që gjatë këtyre viteve janë organizuar, duke veçuar se Misioni Katolik Shqiptar dallohet për gjallërinë që dëshmon në vazhdimësi.

Në pamundësi që të merr pjesë Znj. Nazane Breca, Ambasadore e Kosovës në Zvicër, ajo përmes porosisë së saj, të cilën e lexoi sekretarja Zonja Fatmire Musliu, shprehu urimet më të thella në këtë Përvjetor, duke ngritur lart vlerën dhe rëndësinë e Misionit në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar të popullit tonë. Në Akademi ishte i pranishëm dhe na nderoi të gjithëve, Zotëri Ilir Gjoni, Ambasador i Shqipërisë në Zvicër, pastaj Arqipeshkvi Zef Gashi, Mons. Lush Gjergji, ish misionarët Don Marjan Demaj dhe Don Mikel Sopi, M. Vida Ademi, e dërguar e Provinciales M. Gordana Igrec, P. Ndue Kajtazi dhe meshtarë, motra e mysafirë të tjerë.

Image

Hapjen e Akademisë e bëri Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, i cili përveç që përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Misionet tona, shprehu falënderim të madh për Kishën e vendit dhe institucionet tjera që i përkrahin ato, duke ua mundësuar të gjitha kushtet e mundshme për punë sa më të frytshme.

Pika qendrore e kësaj Akademie ishte ligjërata për Kishën dhe Migrimin. Marrë para sysh aktualitetin e këtij fenomeni në botë, si dhe realitetin tonë shqiptar në lidhje me migrimin,  ligjëruesi Prof. Dr. Aldo Skoda, nga Universiteti Papnor në Romë, ndër pikat kyçe veçoi se, si Shteti ashtu edhe Kisha, në mënyrën më të drejtë të mundshme duhet t’i pranojnë ata, duke e vlerësuar të drejtën e tyre për jetë të dinjitetshme. Në shumë raste citoi Papën Françeskun i cili angazhohet që të jetë afër tyre me plotë ndjesi e dhembshuri.

Ligjëruesi tjetër në gjuhën gjermane ishte Z. Marco Schmidt, i cili solli para të pranishmëve përvojën e tij pastorale me të rinjtë, sidomos me të anketuarit për realitetin e religjiozitetit dhe faktit se si ata e shohin të ardhmen e tyre në famulli e Misione.

Akademinë e bënë shumë festive, me pikat muzikore, të interpretuara nga Monika Nreca, e përcjellë në piano nga Kristina Hajdaraj, pastaj sopranoja e mirënjohur nga Kosova Zana Ramadani në përcjellje të Prof. Valton Beqirit. Në vazhdim u shfaq një reportazh i shkurtë historik nga galeria e Misionit. Akademia u përmbyllë me dy këngë të interpretuara nga fëmijët, të cilët sollën në sallë shumë ngrohtësi e emocione me këngët: “Unë jam shqipe nga Kosova, dhe Danke”. Pas aperos së përbashkët u shtrua edhe darkë për të ftuarit.

Image

Festa vazhdoi të nesërmen në Sursee me meshën solemne të cilën e udhëhoqi Mons. Dodë Gjergji. Siç e tha ipeshkvi në pretkun e rastit, populli ynë, Kisha jonë është në festë. Këtë po e themi se qysh në mëngjesin e hershëm të së dielës, shumë besimtarë ishin angazhuar që të përgatisin sallën për meshë. Shërbimi, flijimi i tyre plotë gëzim e dëshmonte këtë. Rreth mesditës, numër i madh i besimtarëve u bashkua në sallë, dhe mesha filloi në ora 13.00. Josef Mahnig, famullitari nga Sursee e përshëndeti dhe i uroj mirëseardhje ipeshkvit dhe të gjithë të pranishmëve. Meshën edhe më solemne e bëri Kori i Misionit “Imzot Nikë Prela”, udhëhequr nga motrat e nderit, M. Mrike Sabedini dhe M. Franciska Kola.

Ipeshkvi, Dodë Gjergji, në pretkun e rastit falënderoi meshtarët dhe motrat që kanë shërbyer dhe shërbejnë gjatë këtyre viteve, pastaj Kishën vendore që na mundëson edhe këtu ta përjetojmë një pjesë të vendlindjes. Ai më tej vazhdoi: “Me gjithë zemër kam dashur që sot të jam në mesin tuaj, që së bashku me ju të vazhdojmë kremtimin e Kishës, sepse Kisha është një popull në festë. Kisha jonë këtë vit ka shënuar shumë festa, shugurimin e një diakoni, të një meshtari, të tre ipeshkvijve në Shqipëri, të katedraleve në Tivar dhe Prishtinë, sot jemi këtu, që ta festojmë 25 Vjetorin e themelimit të Misionit.

Tash 25 vjet vite, plotë dashuri, plotë mall për vendlindjen, plotë sakrificë na keni përkrahur neve në Kosovë. Dëshiroj ta falënderoj Zotin për të mirat që na jep... Ju, të dashur besimtarë, me praninë tuaj këtu, e keni varfëruar Kishën tonë atje, por atë e keni pasuruar me dashurinë tuaj që e keni për të, dhe me ndihmën e madhe që i jepni. Ju nuk kenë dhënë nga teprica, por nga zemra e dashuria, si për Katedralen në Prishtinë ashtu edhe për mbarë Kishën. E keni pasuruar vendin tonë me sakrificat që ju i kenë bërë, në anën tjetër, si emigrantë në vend të huaj, jeni në shtegtim, dhe si të krishterë të gjithë jemi shtegtarë sepse caku ynë final nuk është Kosova as Shqipëria, Zvicra as Amerika, por Qielli, atje na bashkon në udhëtim Krishti me vuajtjen e Kryqit... Ne nuk jetojmë e punojmë vetëm sa për bukë e gjëra materiale, në ne është vu një hir i ri, një zjarr i Shpirtit të Shenjtë që na bashkon në një dashuri të vetme, të jemi të fortë edhe kur jemi në vuajtje. Është mision i Kishës të jap kontributin e vet për vendin, Kombin, Atdheun, dhe kurrë nuk ka pushuar edhe në rrethana të ndryshme historike të jap kontributin e vet në ruajtjen e identitetit. Më parë është dashur të jepet jeta për këto vlera, e tani kjo nuk na kërkohet, por kërkohet ta jetojmë jetën, me ato virtyte, hire, dhunti e pasuri shpirtërore që i kemi trashëguar prej të parëve, sikur në shembullin e Nënës Tereze, që ajo të shfaqet në fytyrën e secilit prej nesh. Sot jetojmë në një kohë, kur ata që janë identifikuar me okupuesit, kanë frikë prej vetvetes, kanë frikë prej Gjergj Kastriotit kur e shohin, apo Nënë Terezës kur e shohin me aq bujari zemre. Ata nuk kanë nevojë t’i mbrojmë, por ka nevojë ta mbrojmë njeriun tonë shqiptarë që të mos tjetërsohet. Të jemi dritë e syve të popullit tonë, të jemi gëzimi i zemrës së popullit tonë dhe zëri i së vërtetës. Ju ftoj të lutemi për këtë qëllim dhe duke falënderuar misionarët, motrat e të gjithë ata që shërbejnë në Misionet tona, i lutem Zotit që paqja e bekimi i Tij të na shoqëroj të gjithëve! Zoti Ju shpërbleftë.”

Image

Më pas mesha vazhdoi me paraqitjen e dhuratave, simbole të bukura ceremoniale, ndërsa në mbarim të meshës, nikoqiri i këtij manifestimi, Don Agim Qerkini, në emër të vëllezërve misionar don Pren Kola dhe Don Albert Demaj, falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar në këtë organizim për vitin Jubilar të 25-Vjetorit të themelimit të Misionit. Këtu veçoi ipeshkvin Mons. Dodë Gjergjin që e udhëhoqi meshën, pastaj, arqipeshkvin në pension Zef Gashin, vikarin ipeshkvor të Ipeshkvisë së Baseli-t Ruedi Heim, meshtarin Josef Mahnig nga Sursee, misionarët që kanë shërbyer në këtë Mision, stafin e  Radio Marisë së Zvicrës, që mundësuan transmetimin e drejtpërdrejt të kësaj meshe edhe në valët e Radio Marisë së Kosovës, si dhe të gjithë të pranishmit në këtë meshë.

Më pas, moderatori Z. Llesh Duhanaj vazhdoi të shpalos programin kulturor, dhe pas fjalëve të rastit të Z. Ruedi Heim dhe Z. Thomas Huber, pasoi pjesa e bukur me këngë klasike të interpretuara nga Zonja Zana Ramadani, soprano, e përcjellë nga Z. Valton Beqirin, kompozitor, Zotëri Kristë Lleshi këndoi këngë për Nënë Terezën. Pjesa e këtij programi u përmbyll  me disa valle të bukura nga Grupi i Vallëtarëve “Arbëresha” nga Misioni i Sirnach-ut.

Festa vazhdoi në sallën e famullisë në Sursee ku ishte përgatitur një apero i begatë, për të cilin Don Agimi falënderoi Forumin e grave “Nëna e Këshillit të Mirë”, dhe të gjitha familjet që kanë kontribuar.

Festimi u përmbyllë me urimet që Zoti të bekoi familjet tona, duke u angazhuar gjithmonë në ruajtje dhe kultivim të vlerave tona si popull.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test