Universiteti popullor shqiptar i Gjenevës nderohet me çmimin e Frankofonisë

Zvicra

Universiteti popullor shqiptar i Gjenevës nderohet me çmimin e Frankofonisë

Nga: Arif Ejupi Më: 4 mars 2018 Në ora: 07:58
Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë aktuale e UPSH-së në Gjenevë të Zvicrës, me punën e saj të palodhshme i sjellë këtij institucioni të integrimit dhe të kulturës, çmimin vjetor të frankofonisë.

Themelimit të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë me seli në Paris të Francës, i ka paraprirë puna 35-vjeçare e Agjencisë për Bashkëpunim Kulturor dhe Teknik e njohur me shkurtesën ACCT.

Sot, kjo organizatë prestigjioze në gjirin e vet numëron 84 shtete të pesë kontinenteve të botës.

Vendet si Qipro, Gana, Katari dhe Kaledonia e Re, që shtrihet në jugperëndim të Paqësorit kanë ende statusin e anëtarit të përkohshëm apo të asociuar.

Kurse atë të vëzhguesit 26 shtete, në mesin e tyre edhe Kosova, e cila,në këtë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtar është anëtarësua në nëntor të vitit 2014.

Në këtë organizatë me nam në botë,që mbledhë një të tretën e shteteve anëtare të OKB-së, bënë pjesë edhe Shqipëria. Ajo gjatë vitit 1997 kishte statusin e vendit vëzhgues.

Falë angazhimit serioz në këtë mekanizëm më 1999 ky status i saj avancohet në anëtare të rregullt, dhe me të drejtë të plotë në votë dhe në vendim-marrje.

Sipas një raporti të publikuar më 2014 nga OIF, mësohet se në botë gjuhën frënge e përdorin 274 milion njerëz.

Neologjizmin frankofoni përherë të parë e ka futur në përdorim më 1880 gjeografi i njohur francez Onésime Reclus.

Kjo organizatë përveç promovimit të vlerave kulturore dhe gjuhësore nëpërmjet katër operatorëve të saj të specializuar ndihmon në përgatitjen dhe trajnimin e diplomatëve të akredituar pranë Bashkimit Evropian dhe OKB-së.

Gjithashtu mbron të drejtat dhe liritë e njeriut, e njëkohësisht kontribuon edhe në ruajtjen e paqes dhe demokracisë.

Nëpërmjet seminareve të ndryshme ndërkombëtare u jep mbështetje të pakursyer edhe universiteteve të ndryshme në Evropë, e vende të tjera të botës,që në kuadrin e tyre kanë katedrat e frëngjishtes.

Gjatë muajit mars në të gjitha vendet e botës anëtare të OIF-it organizohet edhe java e frankofonisë.

Më këtë rast në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë ndahet edhe çmimi vjetor për institucionin apo shoqatën me kontribut të veçantë në rritën dhe zhvillimin e frankofonisë.

Epitetin e më të mirit këtë vit e ka fituar Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, i pasuar nga dy institucione të dalluara shoqëroro-kulturore të Zvicrës, siç janë: ”Salloni Ndërkombëtar i Librit”në Gjenevë dhe RTS, e njohur me përgatitjen e emisioneve speciale mbi frankofoninë.

Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë e UPSH-së së Gjenevës,që nga viti 2008 këtë çmim e konsideron nderë dhe privilegj. Ajo ndihet tejet e kënaqur dhe si argument për konkurrencën e jashtëzakonshme ofron edhe kandidaturat e tjera të shumta të organizatave të ndryshme anëtare të OIF-it.

Vlerën e këtij çmimi thotë zonja Krasniqi-Malaj,do ta rrisë dhe më shumë organizimi i një ceremonie më 15 mars të këtij muaj në Bernë të Zvicrës.

Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës,si duket ka shpallur muajin mars si muaj të masivizimit të frankofonisë, ngase në agjendën e tij figurojnë ngjarje gati të çdoditshme kulturore, si promovime librash dhe organizime debatesh me temë nga arti dhe kultura franceze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat