Studentët shqiptarë kundër raportit të Dick Marty-it

Maqedonia

Studentët shqiptarë kundër raportit të Dick Marty-it

Më: 11 janar 2011 Në ora: 17:48

Me thirrjen “Të nderuar studentë, nënshkruani kundër raportit të Dick Marty-it”, në Universitetin Shtetëror të Tetovës ka nisur sot të firmoset peticioni kundër raportit të Dik Martit.

‘’Raporti i Dik Martit për përfshirjen e drejtuesve të UÇK-së në trafiqe dhe në afera të paligjshme është i pabazë dhe si i tillë duhet të kundërshtohet", theksoi Merale Xhelili, studente e USHT, nënshkruese e peticionit të lartpërmendur, raporton INA.

“Ky dokument, i paraqitur nga europarlamentari zviceran në Këshillin e Evropës, kategorikisht duhet të kundërshtohet përderisa i njollos figurat historike të shqiptarëve dhe mbarë kombin tonë”, deklaroi njëri nga studentët i cili hodhi firmën e tij në peticionin kundër raportit të Marty-it.

Miftar Emini, përfaqësues i Parlamentit të Studentëve të USHT-së, i angazhuar për peticionin në fjalë konfirmoi se studentët e të gjitha fakulteteve të USHT-së, në Tetove, si dhe programet studimore të disperzuara, prej sot kanë filluar ta nënshkruajnë këtë peticion dhe numri i tyre është i konsiderueshëm.

”Për të firmosur këtë peticion mjafton letërnjoftimi i çdo studenti, për t’u bashkuar me qindra studentë dhe profesorë që kanë firmosur këtë peticion edhe në USHT”, tha Miftar Emini.

Organizatorët e peticionit bënë të ditur se peticioni kundër raportit të shpifur të Dik Martit në USHT do të nënshkruhet edhe gjatë ditëve në vijim dhe se nënshkrimet e grumbulluara do të dorëzohen në selinë e Këshillit të Evropës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat