Egjipti akuzon SHBA se kërkojnë të vendosin vullnetin e tyre mbi aleaten besnike

Bota

Egjipti akuzon SHBA se kërkojnë të vendosin vullnetin e tyre mbi aleaten besnike

Më: 10 shkurt 2011 Në ora: 18:42

Qeveria në vështirësi e presidentit egjiptian Hosni Mubarak ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po kërkojnë të vendosin vullnetin e tyre mbi aleaten besnike në Lindjen e Mesme, ndërsa Uashingtoni paralajmëroi Egjiptin se nuk ka përmbushur pragun e reformave që kërkohen nga populli.

Në një intervistë me kanalin amerikan PBS, ministri i jashtëm Ahmed Aboul Gheit dënoi ashpër komentet e fundit nga zyrtarët e administratës Obama për situatën në Egjipt.

Aboul Gheit tha se deklaratat amerikane, të bëra në ditët e para të krizës, se ndryshimi duhet të ndodhë “tani” ishin dëmtuese dhe nuk morën parasysh sensitivitetin e gjendjes.

"Kur flet për ndryshime të menjëhershme, tani është si t’i imponosh një vendi si Egjipti, një miku të madh që ka patur gjithmonë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara – është si të imponosh vullnetin tënd mbi të".

Aboul Gheit tha se mesazhi i administratës Obama është tani shumë më i mirë pasi Shtetet e Bashkuara duket se e kanë kuptuar se ndryshimi i menjëhershëm do të çojë në kaos.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit P.J. Crowley sugjeroi se Aboul Gheit duhet të mos çuditet nga thirrjet e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për reforma demokratike.

"Ne nuk e shohim këtë si ndërhyrje. Kemi vlerësuar procesin dhe atë që po ndodh dhe pikëpamja jonë është se qeveria egjiptiane duhet të tregojë se është më serioze për të kryer këtë tranzicion".

Në një seancë dëgjimore dje në kongres, ekspertë të politikës së jashtme u thanë ligjvënësve amerikanë se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin asistencën financiare që i japin Egjiptit si mjet për të detyruar një tranzicion drejt demokracisë.

Shifrat e qeverisë amerikane tregojnë se Departamenti i Shtetit dhe Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar kanë dhënë 1 presje 5 miliardë dollarë asistencë për Egjiptin vitin e kaluar, kryesisht për sigurinë. Buxheti i kërkuar për këtë vit është pothuajse i njëjtë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat