Uzina bërthamore Busher do të hapet nën vëzhgimin ndërkombëtar - Bota Sot
Uzina bërthamore Busher do të hapet nën vëzhgimin ndërkombëtar

Bota

Uzina bërthamore Busher do të hapet nën vëzhgimin ndërkombëtar

Më: 16 prill 2011 Në ora: 23:18

Uzina bërthamore në Busher të Iranit ka përfunduar së ndërtuari. Rusia, e cila i dha Iranit reaktorin bërthamor, po trajnon tani personelin e uzinës. Agjencia Ndërkombëtare Bërthamore, pjesëtare e së cilës është dhe Irani, thotë se është e angazhuar që të përçojë një kulturë të sigurisë bërthamore për të gjithë punonjësit e objekteve bërthamore. Duke iu referuar asaj çka ndodhi në uzinën bërthamore të Fukushimës në Japoni muajin e kaluar, e quajtura kultura e sigurisë bërthamore duket se po kthehet në çështje jete ose vdekje.

Punonjësit në impiantin bërthamorë të Fukushimës, në veri të Tokios, pranë bregut të oqeanit Paqësor, janë përpjekur që të parandalojnë përhapjen e radioaktivitetit, që pasoi dëmet e shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm i muajit të kaluar. Përpjekjet e tyre pasqyrojnë trajnimin intensiv që ata dhe punonjësit e tjerë të objekteve të kësaj natyre në botë kanë marrë për raste emergjencash. Këtu përfshihet dhe personeli i impiantit bërthamor në Bushehr të Iranit.

Industria e energjisë bërthamore nuk do të harrojë kurrë atë që ndodhi 25 vjet më parë në fabrikën e Chernobilit në Ukrainë. Një eksperiment me sistemin ftohës- i papërfshirë në programin e trajnimeve - çoi në shpërthimin e një reaktori dhe shkaktoi atë që njihet si fatkeqësia më e madhe bërthamore në botë.

Kryesisht mbas Çernobilit, industria botërore e energjisë bërthamore u përqendrua në atë që u quajt “kultura e sigurisë bërthamore”. Në Institutin e Energjisë Bërthamore në Shtetet e Bashkuara, Tony Pietrangelo shpjegon këtë koncept.

“Koncepti i kulturës së sigurisë ekziston në vazhdimësinë e tij. Duhet punuar gjithmonë për t’a përmirësuar atë. Është profesionalizëm. Është respekt i thellë për teknologjinë në bazë të të cilës punohet”.

Një shtyllë e rëndësishme e kulturës së sigurisë është përgatitja e plotë e atyre që punojnë në impiantet e energjisë bërthamore. Njësia shtetërore e energjisë bërthamore të Rusisë, ROSATOM, e cila përfundoi fabrikën e Bushharit mbas vitesh të tëra vonese, po përgatit tani dhe personelin iranian të saj. Në Laboratorin amerikan të Brookhaven-it, shkencëtari veteran Upendra Rihatgi përshkruan programin e trajnimit.

“Ata përgatisin personelin përmes instruksioneve. Gjithashtu ata kanë pajisje imituese të pajisjeve të vërteta, që mund të përballojnë çdo situatë e që janë të njëjta me standardet perëndimore; më pas, përgatitja e personelite e tyre kryhet në terren”.

Ashtu si simulimi i fluturimeve, me të cilat përgatiten pilotët, operatorët e fabrikave bërthamore mund të mësojnë se si të përballojnë problemet dhe emergjencat e papritura pa kryer gabime të rënda që mund të shkaktojnë humbje jete dhe shkatërrim të ambientit.

Agjencia ruse do të jetë vëzhguese edhe për të ardhmen në këtë fabrikë, siç ka vepruar edhe me vendet e tjera kliente të saj si Kina apo India.

Agjencia e Energjisë Bërthamore, në të cilën Irani është anëtar, gjithashtu mbikëqyr veprimtarinë e fabrikës.

Kjo agjenci dërgon grupe inspektorësh në impiantet bërthamore për t’u siguruar që janë ndjekur praktikat më të mira. Ish drejtori për Sigurinë e Instalimeve Bërthamore pranë kësaj agjencie Filip Jamet thotë:

“Ata shohin programet trajnuese - se si operatorët janë në gjendje që të përballojnë aksidente e inskenuara. Shohim gjithashtu kualifikimin e njerëzve për mirëmbajtjen, si dhe përgatitjen e fabrikës bërthamore për situata të ndryshme emergjente”.

Agjencia Bërthamore e Iranit ka përsëritur vazhdimisht se si pjesëtare e Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, do të ndjekë protokollet e sigurisë e të veprimit të Kombeve të Bashkuara në fabrikën e Bushehrit.

Por ajo që u pa nga dëmtimi i uzinës bërthamore në Fukushima të Japonisë, është se fatkeqësitë natyrore, si rasti i një tërmeti të përmasave tejet të mëdha, mund t’i bëjë të paefektshme madje dhe nivelet më të larta të përgatitjes për sigurinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...