Obama bën fushatë për reformën në shëndetësi, kundërshtarët protestojnë - Bota Sot
Obama bën fushatë për reformën në shëndetësi, kundërshtarët protestojnë

Bota

Obama bën fushatë për reformën në shëndetësi, kundërshtarët protestojnë

Më: 13 shtator 2009 Në ora: 09:20

Presidenti Barak Obama po kritikon ashpër ligjvënësit për përdorimin e taktikave frikësuese në debatin për reformën e kujdesit shëndetësor. Presidenti foli para mijëra amerikanëve në një tubim në Minesota dje, ku tha se në Amerikë askush nuk duhet të falimentojë sepse është i sëmurë. Ndërsa presidenti foli para një turme entuziaste në Minesota, një turmë e madhe u mblodh në Uashington për të protestuar ndaj politikave të tij.

Tubimi i Presidentit Obama në Mineapolis të Minesotës dukej dhe tingëllonte si takimet e tij të fushatave të vitit të kaluar.

Zoti Obama u shfaq për të folur në arenën ku Xhon Mekein pranoi vitin e kaluar emërimin e vitit të kaluar si kandidat republikan për President dhe tha se vendi nuk mund t'i lejojë më vetes që të merret me lojra dhe kujdesin shëndetësor. Ai tha se një raport i ri i Departamentit amerikan të Thesarit e përcjell më së miri urgjencën e këtij problemi.

"Afro gjysma e amerikanëve nën moshën 65 vjeç do të humbasë sigurimet shëndetësore gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Më shumë se një e treta do të jetë pa sigurime për një periudhë më të gjatë sesa një vit. Duhet të bëjmë patjetër diçka".

Po dje, në fjalimin e tij të përjavshëm në internet, zoti Obama tha se vendi ka zhvilluar një debat të gjatë dhe të rëndësishëm për reformën në shëndetësi, por është koha për të vepruar.

"Në Shtetet e Bashkuara, askush nuk duhet të shqetësohet se do të mbetet pa sigurime shëndetësore, as për një vit, as për një muaj dhe as për një orë. Dhe kur unë ta nënshkruaj planin për reformën shëndetësore, duke e kthyer në ligj, ata nuk do të mbeten pa sigurime".

Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi po punojnë për të hartuar një legjislacion të reformës shëndetësore që të mund të jetë i pranueshëm edhe nga Demokratët, edhe nga Republikanët.

Por në përgjigjen e përjavshme republikane, Senatori Xhon Kornin i Teksasit kritikoi koston e planit 900 miliardë dollarësh të presidentit, të cilin zoti Obama e paraqiti gjatë fjalimit para Kongresit të mërkurën.

"Presidenti na tha se ka disa detaje të rëndësishme me të cilat duhet punuar dhe e kishte seriozisht. Detaji më i rëndësishëm është kostoja e planit të tij dhe efekti i saj tek defiçiti buxhetor".

Ndërkohë në Uashington dhjetra mijëra vetë të indinjuar për shpenzimet qeveritare marshuan nëpër qytet deri tek Kongresi për një ditë protestash kundër politikave të presidentit për ekonominë dhe sistemin shëndetësor.

Sheri Melton nga Karolina e Veriut thotë se politikat e zotit Obama po e çojnë Amerikën drejt socializmit.

"Ne po na shtyjnë drejt socializmit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për kujdesin shëndetësor, por nëse ndërhyjnë tek kujdesi shëndetësor, ata do të ndërhyjnë në çdo pjesë të jetës sonë".

Një numër oratorësh konservatorë folën para protestuesve, përfshirë disa ligjvënës republikanë. Shumë prej tyre bënë thirrje për më pak ndërhyrje të qeverisë në jetët e amerikanëve. Të tjerë donin që të shpenzoheshin më pak nga paratë e taksapaguesve për programet qeveritare. Tubimi ishte organizuar nga disa grupime politike që janë kundër Presidentit Obama.//kk//

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat